“Vaksina Sinovac nuk ka as efekte anësore tek kjo grupmoshë”

Dy vdekjet e të moshuarve të cilat janë bërë publike në media nuk kanë lidhje me vaksinimin. Është ky qëndrimi i Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Efekteve të Padëshiruara Pasvaksinore.

Në reagimin e Komitetit të Ekspertëve për efektet e vaksinës thuhet se deri më sot nuk ka asnjë rast të fataliteteve që lidhen me vaksinën dhe procesin e vaksinimit ndaj Covid-19.

Të mërkurën 74-vjeçarja Donika Babunja nga Berati ndërroi jetë 10 orë pasi kishte bërë vaksinën kineze Sinovak. Rasti tjetër është një e moshuar 88 vjeçe, me sëmundje të rënda bashkëshoqëruese.

“Komiteti Ekspertëve për Vlerësimin e Efekteve të Padëshiruara Pasvaksinore thekson se nuk ka asnjë të dhënë bindëse, apo argument shkencor, konfirmues që të vërtetojë apo demonstrojë një lidhje shkakësore midis procesit të vaksinimit ndaj Covid-19 dhe ngjarjeve fatale të raportuara”.

Edhe Erida Nelaj, përgjegjëse e Programit Kombëtar të Vaksinimit thotë se deri tani tek të moshuarit nuk ka patur asnjë efekt anësor. Madje sipas saj edhe tek vendi i injektimit nuk kanë pasur dhimbje pas marrjes së dozës. Deri tani në Shqipëri janë kryer mbi 100 mijë vaksinime tek të moshuarit.

Tv Klan