Mbyllen gjimnazet në 10 qytete, universitetet online

Baret, restorantet dhe lëvizja e qytetarëve nga kjo e enjte do të jetë e ndaluar pas orës 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Komiteti i Ekspertëve ka vendosur që për dy javë, të shtrëngojë masat anti-Covid edhe për gjimnazet e 10 qyteteve të cilat do të bëjnë mësim vetëm online.

“Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune. Duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt. Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, lokaleve, nga ora 20:00 – 06:00 me përjashtim të shërbimit delivery. Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën15-24 vjeç, shkollat e mesme ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, do të aplikojnë skenarin e tretë, pra mësimin online për periudhën 11 Shkurt – 26 Shkurt”.

Vendimi erdhi pas rritjes së rasteve dhe shtimit të pacienteve me moshë të re në spitale.

“ Tendeca e rritjes së rasteve të reja, incidencës është më e lartë dhe perhapja më e madhe. Mesatarja ditore është rritur nga 836 në 1030 dhe pozitiviteti i mostrave pavarësisht rritjes së testimeve”.

“Kemi shtim të rasteve në spitale, është shtuar numri i moshave të reja në spital, kemi forma të rënda të moshave të reja shoqëruar dhe me humbje jete. Janë mosha të reja pa sëmundje të tjera që po bëjnë forma të rënda”.

ISHP është në pritje të analizave për mostrat e dyshuar për variantet e reja të Covid.

Ekspertët thonë se rritja e rasteve është vërejtur më shumë në grupmoshat 15 -24 vjeç, e pasuar me 25-34 vjeç. Sa u takon kapaciteteve spitalore, aktualisht janë të zëna 74% e shtretërve ndërsa reanimacioni në 34%.

Tv Klan