Në Shqipëri qarkullon mutacioni i virusit britanik të Covid-19. Ky fakt është konfirmuar nga analizat laboratorike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik të Ankarasë në Turqi.

Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, ministrja Manastirliu u shpreh se analizat laboratorike kanë konfirmuar dyshimet e mjekëve sa i përket rritjet së numrit të infektimeve dhe agresivitetit të virusit që prej muajit Janar.

“Në vlerësimin e situatës janë analizuar kampione, laboratori ka përdorur kite specifike, Instituti i Shëndetit Publik ka bashkëpunuar me ISHP-në e Ankarasë në Turqi, dhe rezultatet treguan se kampionet janë të infektuar me variantin e ri, mbajnë një shenjë të mutacionit britanik. Ky mutacion është detaktuar nga laboratori i ISHP që është në qarkullim. Pra dyshimet e arsyeshme që ekspertët tanë patën kur filloi rritja e infektimeve, tashmë është e konfirmuar nga detektimi në laborator që Shqipëria ka në qarkullim edhe këtë mutacion, variantin e ri, atë britanik, të Covid-19”, tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Ndërkohë, masat aktuale kufizuese nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit dhe zhvillimi i mësimit online do të qëndrojnë në fuqi edhe për 2 javë të tjera.

“Masat që janë propozuar me shumë vëmendje dhe ne të vazhdojmë t’i mbajmë edhe për një periudhë kohe 2-javore. Pra ora policore do vazhdojë të jetë ajo që ka qenë, nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Do të vazhdojë të mbetet mësimi online. Fluturimet direkte me Britaninë do të mbeten të pezulluara edhe për një periudhë 2-javore”, u shpreh zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

MASAT QË JANË NË FUQI:

Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania.
Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery).
Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë.
Universitetet vijojnë online. Pezullim të fluturimeve me Britaninë e Madhe.

ANËTARËT E RINJ TË KOMITETIT TEKNIK TË EKSPERTËVE:

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka prezantuar anëtarët e rinj të Komitetit Teknik të Ekspertëve pas largimit të Najada Çomos që do të kandidojë në listat e deputetëve të PS, dhe Tritan Kalos që vendosi të largohej vullnetarisht.

Kështu, Najada Çomo është zëvendësuar nga Dhimitër Kraja, kurse Tritan Kalo nga Alban Ylli. Ndërkohë, pjesë e këtij komiteti është bërë edhe Ermila Kola.

“Anëtarët e rinj të Komitetit të Ekspertëve të ftuar si kontributor në vazhdim në këtë komitet, duke filluar nga profesor Dhimitër Kraja. Dua të falenderoj profesoreshë Ermila Kolën për pranimin e ftesës për të qenë anëtare e përhershme e Komitetit Teknik të Ekspertëve. Profesor i asociuar Alban Ylli do të jetë anëtar i përhershëm i Komitetit të Ekspertëve”, u shpreh ministrja Manastirliu. /tvklan.al