Nga 1 Korriku kthehen shikuesit në stadiume e teatro

Duke filluar nga 1 Qershori maska nuk do të jetë më një detyrim në mjediset e jashtme por vetëm në transportin publik dhe mjedise të mbyllura.

Ky është vetëm një nga vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve për Covid, në kuadër të lehtësimit të masave për qytetarët.

“Komiteti mendon që ka një vend për lehtësim të masave dhe propozon që duke filluar nga 1 Qershori të hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme dhe do të mbahet maska në ambientet e mbyllura dhe transportin publik. Ora policore nga 22:00 do të kalojë në orën 23:00 deri në orën 06:00. Përsa i përket lokaleve të natës do të vijojnë të mbeten të mbyllura dhe muzika do të lejohet deri në orën 22:00″. Nga 1 Korriku ora policore shtyhet në orën 24:00 deri në 06:00, orari për muzikën nuk ndryshon. Do lejohen kampionatet sportive me prezencën e tifozëve  me kapacitet deri në 30%. Do lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistik me kapacitet të reduktuar sipas protokolleve të ISHP deri në 30%”, tha Mira Rakacolli.

Komiteti ka vendosur që të lejojë grumbullimet deri në 50 persona në mjedise të jashtme duke filluar nga 15 Qershori. Lehtësimi i masava argumentohet me përmirësim të shifrave të të infektuarve.

“Incidenca dy javore ka zbritur nga 35 për 100 mijë raste në 14 për 100 mijë raste. Numri i bashkive me raste të reja është 9. Po bie pozitiviteti i mostrës që është 0.8 %”.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur gjithshtu që prej 1 Korrikut të lejojë publikun në teatro, shfaqet artistike dhe kampionatet sportive me kushtin e vetëm duke përdorur vetëm 30% të kapaciteteve.

Tv Klan