Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh këtë të mërkurë dhe vendosi me vijimin e masave të marra për shkak të situatës së pandemisë. Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli, u shpreh se do të mbetet në fuqi ora policore 20:00-06:00. Në këtë orë do të funksionojnë edhe baret e lokalet.

Po ashtu, do të vijojë mësimi online nga shtëpia përveç maturantëve. Siç u njoftua javën e kaluar, maturantët do të bëjnë mësim në shkolla, dhe kjo situatë, sipas Rakacollit, do të monitorohet në vazhdimësi. Po ashtu, edhe fluturimet me Britaninë e Madhe mbeten të pezulluara për dy javët e ardhshme.

“Situata nuk është aty ku duhet të jemi. Mendohet që masat të vazhdojnë të mbeten në të njëjtin nivel siç kanë qenë më parë. Nuk propozohet asnjë ndryshim masash. Do të mbetet në fuqi ora policore. Dalja do të jetë deri në orën 20:00 deri në orën 06:00 nuk do të lejohet dalja. Baret dhe restorantet do të punojnë deri në orën 20:00 dhe pastaj do të jenë online. Do të vijojë mësimi online dhe i universiteteve me përjashtim të maturave”, tha Rakacolli.

Po ashtu është rekomanduar që të mos lejohen grumbullimet e më shumë se 10 personave./tvklan.al