Komitetit Teknik i Ekspertëve ka lënë në fuqi masat për pandeminë e Covid-19.

Në mbledhjen e sotme, drejtuesja e këtij komiteti, Mira Rakacolli evidentoi se këto masa i përgjigjen më së miri indikatorëve të situatës pandemike në vend, por theksoi se problem mbetet zbatimi i tyre me rigorozitet.

E në këtë aspekt, bëri thirrje që qytetarët të zbatojnë me përpikmëri të gjitha masat e vendosura nga Komitetit Teknik i Ekspertëve.

Këtyre indikatorëve i përgjigjet mirë niveli i masave që ne i kemi në fuqi. Problem mbetet zbatimi i tyre. Situata mund të kontrollohet duke mbajtur të njëjtin nivel masash por duke i zbatuar me përgjëgjshmëri dhe rigorozitet”, tha Rakacolli.

Kujtojmë se masat në fuqi janë ora policore 24:00-06:00, lejimi i muzikës në lokale deri në orën 23:00, kampionatet e futbollit lejohen me prezencë të tifozëve deri në masën 30%, mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura.

Covid-19, drejtoresha e ISHP: Incidenca 2-javore është rritur 5 herë, 35-64 vjeç grupmosha më e prekur

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico thotë se incidenca 2-javore e Covid-19 në vendin tonë është rritur gjatë dy javëve të fundit.

Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Albana Fico tha se incidenca 2-javore është rritur me 5 herë në krahasim me 2 javët e fundit.

Një element tjetër i rëndësishëm që vlen për t’u theksuar është grupmosha 35-64 vjeç që janë më të prekur nga varianti Delta i Covid-19.

“Mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 nga 291 krahasuar me një javë përpara. Numri i rasteve aktive në vend është rritur nga 5573 në 5792 që çon në rritje të incidencës dy javore me rreth 5 herë nga dy javë të shkuara. Incidenca 2-javore 202 raste për 100 mijë banorë. 35-64 vjeç është grupmosha më e prekur.

Sa i përket pozitivitetit të mostrës, mbetet në shifrën 7.8%. Sa i përket bashkive të prekura, mesatarisht kemi çdo javë 42 bashki, me incidencën më të lartë janë Saranda, Himara, Malësia e Madhe, Shkodra, Tiranë dhe Vlora. Gjatë kësaj periudhe ka vazhduar me intensitet vaksinimi i popullatës”, tha ndër të tjera drejtoresha e ISHP, Albana Fico.

Sipas disa të dhënave të bëra publike nga Komitetit Teknik i Ekspertëve, aktualisht në spitalin Covid 1 janë të shtruar 90 persona të infektuar. 40% janë të gjinisë femërore dhe 60% meshkuj. 15% janë mosha relativisht të reja. Situata e tyre është e tillë që rreth 40% janë forma të mesme serioze ose me ndonjë ndërlikim. Rreth 30% janë forma të rënda dhe pjesa tjetër ndahet ne forma kritike ose me ndërlikime të rrezikshme për jetën. /tvklan.al