Komiteti Teknik i Ekspertëve ndryshon masat anti-Covid

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi këtë të hënë ndryshimin e masave anti-Covid.

-Duke filluar nga data 1 Shtator, ora policore do të shkojë në 23:00 deri në orën 06:00.

-Nga data 6 Shtator qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto 3 kushte: Të paraqesin pasaportën e vaksinimit të plotë, e cila duhet të jetë jo më e vonshme se 2 javë nga data e hyrjes në kufi. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve, ose testin e shpejtë (rapid) brenda 48 orëve. Ose të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars Cov2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

-Kjo është e vlefshme edhe për ata qytetarë që kalojnë tranzit në Shqipëri; Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

-Qytetarët shqiptarë, rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen në Shqipëri dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

-Vaksinim të detyruar për grupet më të riskuara, stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët.

Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

-Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.

Vaksinim i detyrueshëm për 3 kategori, cilat janë dhe çfarë duhet të dini

Stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët janë 3 kategoritë e para në vendin tonë, të cilët janë të detyruar të vaksinohen kundër Covid-19. “Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit vendosi këtë të hënë rekomandimin e vendosjes së vaksinimit të detyruar, për grupet më të rriskuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksionit, duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët”, tha Mira Rakacolli.

“Vlerësohet që Shtatori duke qenë muaji i hapur të jetë periudha që të gjithë këto grupe të kryejnë vaksinimin dhe deri në datën 30 Shtator të dorëzojnë vërtetim pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentët pranë zyrave të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë, kopjen e katrës së vaksinimit të dalë nga e-Albania. Pas kësaj date, për ata të cilët nuk e kanë, do të kërkohet paraqitja periodike e testit PCR për të verifikuar infektueshmërinë.

Përjashtim do të bëhet vetëm për ata që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mos bërjen e vaksinës. Një dokument i cili do të vlerësohet me përgjegjshmëri përveç mjekut dhe specialistit që e ka dhënë, edhe nga specialisti i ISHP. Penaliteti për paraqitjen për marrjen e PCR në mënyrë periodike do të fillojë vetëm pas datës 30 shtator”, shtoi ajo më tej.

Një thirrje të veçantë, zv/Ministrja e kishte për studentët.

“Për studentët bëjmë thirrje edhe njëherë, për vaksinim brenda muajit Shtator në mënyrë që procesi mësimor të zhvillohet në auditorë ashtu siç ata e kanë kërkuar vazhdimisht dhe të lehtësohet ecuria e procesit mësimor.”

Shumë shpejt vaksinimi me detyrim për disa kategori

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në mbledhjen e zhvilluar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, apeloi për vaksinim, duke i konsideruar shqetësuese shifrat në rritje të infektimeve nga varianti Delta.

“Nuk ka tani më asnjë dyshim se vala e re e Covid-19 ka mbërritur edhe më herët se sa vjeshta. Në Spitalin “Covid 1” janë pothuaj 100 të shtruar, 17 prej tyre në terapi intensive. Janë shumë më pak se sa në rajon, edhe falë shpejtësisë me të cilën Shqipëria nisi vaksinimin masiv, por janë shumë sidoqoftë po të kemi parasysh se jemi ende në gusht. Mjekët më kanë raportuar gjatë gjithë kësaj periudhe se, numri i të pavaksinuarve, është sa 95% e totalit të shtrimeve. Pra është fare e qartë se kush nuk është vaksinuar ende po rrezikon seriozisht, ndërsa përqindja fare e ulët e të vaksinuarve që preken është sidoqoftë shumë më e mbrojtur nga përkeqësimi fatal i sëmundjes”, u shpreh Manastirliu.

Duke bërë apel për vaksinimin anticovid, Manastirliu tha: “Vaksina shmang format e rënda të sëmundjes dhe fatalitetet. Vaksina bën dallimin a madh, mes jetës dhe vdekjes. Zgjedhja për të bërë apo jo vaksinën nuk është thjesht personale. Nuk është rasti klasik “ç’punë ke ti ç’bëj unë me trupin tim”. Jo! Refuzimi i armës mbrojtëse, që sot çdo qytetar e ka në dispozicion, falas, në çdo qendër shëndetësore në çdo cep të Shqipërisë, vë në rrezik jo vetëm jetën e kujt refuzon. Ai vë në rrezik jetën e familjarëve. Vë në rrezik jetën e miqve. Vë në rrezik jetën e shoqeve dhe shokëve në klasë apo auditor, të kolegëve e kolegeve në vendin e punës”.

Ministrja Manastirliu tha se nisur nga kjo situatë, do të zbatohet plani i detyrimit të vaksinimit për disa kategori.

Shtatori do të jetë muaji i dytë i hapur për vaksinimin. Do të nisim shumë shpejt zbatimin e planit për kalimin në një tjetër fazë të fushatës së vaksinimit, ku detyrimi i disa kategorive për t’u vaksinuar do të bëhet në emër të së drejtës së të tjerëve për të mos u infektuar. Të gjitha vendet po lëvizin në këtë drejtim dhe ne do ta bëjmë pa humbur kohë në ditët në vijim”, nënvizoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu ka përsëritur apelin për vaksinim ndaj COVID19, duke e konisderuar si armë mbrojtëse për çdo qytetar për të shmangur format e rënda të sëmundjes dhe fatalitetet./tvklan.al