Në emisionin Stop në Tv Klan ka ardhur denoncimi i një qytetari nga Berati, i cili ankohet se i ka shkuar fletë-thirrja për në gjykatë nga kompania e sigurimeve Eurosig për dy aksidente, dhe për të dyja rastet duhet të paguajë 1.2 milionë Lekë të vjetra.

Problemi është se qytetari në fjalë, i cili quhet Leonard Nuka nga Berati, thotë se nuk ka patentë dhe nuk asnjë lidhje me aksidentet.

Aksidenti i parë ka ndodhur në bulevardin blu në zonën e Kamzës, pasi në vitin 2017 në këtë zonë janë shkaktuar dy aksidente, ku janë dëmtuar dy automjete. Në vitin 2020 i vjen një fletë –thirrje për gjyq nga kompania Eurosig, në të cilën thuhej se duhet ta paguante një shumë prej 800 mijë Lekësh të vjetra.

Më 27 Maj 2021 i vjen një fletë-thirrje tjetër për gjyq po nga kompania Eurosig për një shumë tjetër, që duhet të paguajë për një aksident të ndodhur po në Kamëz, në bulevardin blu dhe po me të njëjtën makinë në emër të Brilant Nuka.

Leonard Nuka: Më datë 14.7.2020 më ka ardhur një fletëthirrje për gjyq. Më ka paditur Eurosig. Supozohet sikur unë kam shkaktuar një aksident në bulevardin blu në Kamëz. Gjasme kam aksidentuar një fuoristradë, i kam rënë me makinën Volksëagen të një personi tjetër që quhet Brilant Nuka, që unë s’e njoh fare. Edhe unë duhet të paguaja dëmin. Dëmi është 800 mijë Lekë. Unë kam nuk patentë, asnjë lloj patente në gjithë jetën time, si e kam paskam shkaktuar unë aksidentin pa patur leje drejtimi. Ata më akuzojnë që i ke rënë ti. Mora fletë-thirrjen për gjyq, të nesërmen i kam bërë fletë Eurosigut dhe gjykatës, që nuk jam unë personi që ju kërkoni. I kam dhënë dhe kartën e identitetit. Meqë i bëra këto dokumente i dhashë tamam sipas ligjit, thashë nuk do më thërrasin më. Më vjen të nesërmen një fletë-thirrje tjetër me një gjykatës tjetër më 26.5.2021 për një dëmshpërblim tjetër që gjasme unë i kam rënë një Benzi. Prapë nga Eurosig. Gjasme unë kam goditur dhe Armand Milloshin, që unë nuk i njoh as Armandin as dhe një njeri në këtë skenë. Makina ishte në emër të Brilant Nukës, që unë as Brilantin nuk e njoh fare se kush është. Shuma e dytë ka ardhur 400 mijë lekë. Unë nuk kam fare patentë. Për aksidentin e dytë më dërguan një fletë nga gjykata që unë brenda muajit duhet të deklaroj të gjitha dokumentet për të vazhduar gjyqin tjetër. Unë nuk jam personi që kam shkaktuar këto dy aksidentet. Kështu që unë dua drejtësi që të zbardhet e gjithë e vërteta se ku është.

Nga një verifikim i thjeshtë në sistem rezulton se me numrin e patentës së drejtuesit të automjetit, del një emër Leonard Nuka, por atësia është Petrit, ndërsa Leonard Nuka i cili është drejtuar në “Stop” e ka emrin e babait Ikbal. Pra rezulton se personi që ka shkaktuar aksidentet është dikush tjetër dhe jo denoncuesi që është drejtuar në emisionin tonë.

Me këto të dhëna gazetarja e emisionit Stop iu drejtua në kompaninë e Sigurimeve Eurosig, ku drejtoresha juridike shpjegon, se procedura e ndjekur është bërë në bazë të sistemit të gjendjes civile ku figuronte vetëm një Leonard Nuka nga qyteti i Beratit. Por më pas u zbulua se shkaktari real i aksidentit ka ndërruar identitet, nga Leonard Nuka në Ferdinand Nuka.

“Ne kemi të drejtë që kur shkaktari nën ndikimin e alkoolit drejton mjetin motorik, të dëmshpërblejmë palën përfituese dhe më pas t’i kthehemi padi regresit. Që do të thotë t’i marrim shumën që kemi paguar. Nga kërkimi që ne bëjmë nga adresari i gjendjes civile rezultonte vetëm një Leonard Nuka në të gjithë Republikën e Shqipërisë, që ishte i vetmi ky person i regjistruar në Berat. Pas interesimit tuaj, ne arritëm që të zbulonim që personi me emrin Leonard Nuka ka ndryshuar gjeneralitetet dhe i ka bërë Ferdinand Nuka. Pas kësaj u arrit të verifikohej dhe kjo gjë. Me z.Leonard Nuka nga qyteti i Beratit do bëjmë një kërkesë për të pushuar gjykimin ndaj tij dhe për ta zëvendësuar procedurialisht me personin që zotëron patentën në bazë të interesit që keni treguar dhe ju. Duke qenë se personi me emrin Leonard Nuka që ka ndryshuar gjeneralitetet dhe ka rezultuar dy persona, ne i kërkojmë ndjesë z.Leonard Nuka nga qyteti i Beratit dhe do ta mbyllim gjyqin ndaj tij. Edhe për të gjitha shqetësimet që mund t’i kemi sjellë…”, shpjegon drejtoresha juridike.

Qytetari Leonard Nuka nga Berati falenderon emisionin Stop për zgjidhjen e problemit.

“Falenderoj emisionin Stop dhe juve dhe gjithë stafin tuaj që ma mbaruat këtë shumë shpejt”. /tvklan.al