“Stop” ishte në Jonufër Vlorë, pasi qytetari Fatmir Celoaliaj tregon se është bërë viktimë e filialit ALBtelecom Vlorë.

Ai sot i detyrohet 100 milionë për një shërbim të paofruar linje telefonike dhe interneti dhe disa dokumente të falsifikuar të bërë në emrin e tij.

“Këta morën dokumentet, arritën të më sillnin këtu kontratën. Ai tha do të sjell linjën në Jonufër, internet, do vinte kompjutera poshtë që t’i kishte për pushuesit pasi këtu nuk kishte asnjëri sallë interneti për të rinjtë. Si ide mua më pëlqeu. Erdhi më solli kontratën, është firmosur nga mua në Gusht të 2005. Kontrata e shkruar nga ALBtelecom-i dhe e nënshkruar nga mua në gusht të 2005 do sillnin linjën në Jonufër, një linjë që mua nuk më erdhi asnjëherë, as sot e kësaj dite nuk ka ALBtelecom-i vlorë, deri tek vilat e qeverisë. Këtu nuk ka linjë”, tha Celoaliaj.

Fatmiri me kamera të fshehtë, shkon në drejtorinë qendrore në Tiranë, ku takon juristen e Albtelecom.

Kjo e fundit pranon, që shërbimi nuk është ofruar, pasi ALBtelecom nuk ka linjë në Jonufër të Vlorës.

Sipas juristes, është gjykata, që ka vendosur dhe duhet zbatuar vendimi i saj.

Por përfaqësuesja ligjore e kompanisë, i sugjeron Fatmirit, të marrë një avokat të mirë për në Gjykatën e Lartë, pasi kjo e fundit ka rikthyer dosjen.

Fatmir Çeloaliaj: Këtë linjë të pa ofruar asnjë herë…, po e di është shkrimi im…

Juristja e Albtelekom: Lëre atë, është firmosur ajo kontratë, vetëm ajo të ka implikuar, që është emri jot… çfarë të të thotë Suela…?! Tani e ka Gjykata e Lartë.

Fatmir Çeloaliaj: Gjykata e Lartë e ka çuar për t’u rigjykuar, jo se…

Juristja e Albtelekom: S’e di, çfarë të them. Gjej një avokat të zotin dhe t’i bësh gjërat shtesë…! Shumë mirë!

Fatmir Çeloaliaj: Dëgjo këtu, se kjo s’ka by**ë, ku të rrijë! Kjo linjë e paofruar, ia ke montuar Alfred Emini. Ja, ku thotë ky për këtë dosje!

Juristja e Albtelekom: E di, se ky na i bëri tetëshin…

Fatmir Çeloaliaj: Ky na bëri tetëshin, e di ti. Po të kishte kurajon civile, të thoje në gjykatë, që ky mavria ka mashtruar gjithë dynjanë, erdhi mashtroi…

Juristja e Albtelekom: Po si, ne do marrim lekët…

Fatmir Çeloaliaj: Po si do të marrësh lekët ti, me një linjë të pa ofruar..?

Juristja e Albtelekom: Po merr avokat, ta thotë këtë fjalë, o Celo!

Fatmir Çeloaliaj: Pse, se nuk kisha avokat të mirë unë edhe…?

Juristja e Albtelekom: Nuk po të them këtë.

Fatmir Çeloaliaj: Ti do 14 km, që të vish tek mua. Linjën s’ma ke montuar mua, ia ke montuar Alfred Eminës. Ai thotë, do t’i paguaj paratë.

Juristja e Albtelekom: Po çfarë deshe, që vajte nënshkrove me Alfredin?

Fatmir Çeloaliaj: Ja dhe shkrimi i atij maskarait, ja shkrimi im! Kush është, s’ka dalë…

Juristja e Albtelekom: Po mirë, ne e dimë këtë, që edhe në shkallë të parë me akt-ekspertimi doli, që ishte e falsifikuar.

Fatmir Çeloaliaj: Atë po them, që tek civilja të thoni ashtu siç është, që linja në Jonufër nuk ka ardhur asnjëherë! Po pse nuk e thoni si burrat: “këtë linjën nuk e kemi sjellë në Jonufër”…

Juristja e Albtelekom: Po e kemi thënë pra, linja është vënë në këtë vend.

Çështja në fjalë kaloi për gjykim ku në Shkallë të Parë dhe Apel Celoaliaj fitoi, por ALBtelecom e çoi në Gjykatën e Lartë e cila e ktheu për rishqyrtim. Më tutje gjykatat vendosën që pronari i hotelit që nuk ka pasur kurrë shërbimin e internetit siç u ofruar rezulton debitor.

“Gjatë gjykimit del që unë, vetë pohuar nga drejtori, kryeinxhinieri, punëtorët, që janë në dosjen e prokurorisë, që nuk është gjykuar asnjëherë kjo dosje. Kjo dosje nuk shkoi në gjykatë pasi u pezullua. Një aktmarrëveshje e shkruar po në atë kohë, Alfred Emina thotë në rast se do të paguhen do t’i ngarkohen Fatmir Celoalisë këto lekë, do t’i paguaj unë. Ky është gabimi që unë kam bërë. Më mirë të shkonte në burg Alfred Emina që atë ditë dhe unë do të isha i qetë sot. Prandaj u pezullua kjo çështje. Gjykatën, avokatin dhe ekspertët do t’i paguante Alfred Emina. Unë thashë me këtë marrëveshjen do të paguajë lekët. Unë as avokat nuk kam pasur. Fitova gjyqin, edhe në Apel. ALBtelecom shkoi në Gjykatën e Lartë dhe Gjykata e Lartë se unë nuk kam paguar asnjë lek dhe nuk kam ndërmend të paguaj asnjë lek. Unë kërkoj vetëm drejtësi. Gjykata e Lartë e ktheu në Gjykatë të Apelit, Gjykata e Apelit në Shkallë të Parë. Gjykata e Vlorës pasi u kthye, në gjykimin e Shkallës së Parë ka qenë në mos gabohem Arqile Basha dhe thotë këto lekë do t’i paguajë Fatmir Celoaliaj. Gjykata e Apelit lë atë po nuk u ndien fare dhe përfundoi në zyrën e përmbarimit në Tiranë”, tha Celoaliaj./tvklan.al