Haxhi: Në Tetor kontrolle për certifikimin dhe nëse janë paguar taksat        

Qeveria u ka lënë afat 30 Shtatorin bizneseve që janë konsumatorë të mëdhenj të lëndëve hidrokarbure, për të certifikuar depozitat e naftës të cilat mbahen për përdorim personal.

Në një intervistë për televizionin Klan, zv/ministri i Financave Elton Haxhi thotë se afro gjysma e konsumit të vendit, 45% e naftës që prodhohet e importohet përdoret nga industritë e ndërtimit, prodhimit, shtrimit të rrugëve dhe përpunimit.

Sipas të dhënave që kanë autoritetet shtetërore, një pjesë e madhe e tyre nuk i kanë të certifikuara këto depozita.

Certifikimi përveçse është një detyrim ligjor, ka hapur dyshime lidhur me origjinën e naftës dhe pjesën nëse lënda ka paguar detyrimet fiskale.

Elton Haxhi paralajmëron kontrolle të imtësishme për bizneset e mëdha që deklarojnë se mbajnë depozita karburanti.

Kontrolli i strukturave të hetimit tatimor dhe atyre të doganave lidhur me depozitat e naftës do të nisë në tetor. Administrata fiskale dyshon se shumë kompani përdorin skemën e lënies së sasisë  naftës në depozitat e bizneseve të tjera me qëllim fshehjen e karburantit për të cilin nuk kanë paguar taksat, ose lënda është blerë pa derdhur detyrimet fiskale.

Tv Klan