Familjet me 2 anëtarë nuk përfitojnë më shumë se 60 m2

Një familje, banesa e të cilëve është dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, pavarësisht se mund të ketë patur një shtëpi me sipërfaqe 200 metra katrorë, nëse përbëhet nga 2 anëtarë, nuk mund të përfitojë më shumë se 60 metra katrorë në rastin që merr apartament dhe 70 metra nëse kompensohet me banesë individuale.

Qeveria ka detajuar procesin e përfitimit të banesave për çdo kategori, në një vendim të miratuar më datën 24 Dhjetor, duke vendosur si rregull që përfituesit duhet të kenë një dokument që vërteton pronësinë e banesës dhe akt konstatim për rrezikun që u kanoset nëse jetojnë atje.

Vendimi zgjeron për apartamente 2+1 sipërfaqen për familjet deri në katër anëtarë dhe deri në 100 metra katrorë për ata që kanë më shumë se 5 anëtarë.

Banesat individuale në bazë të vendimit të qeverisë do të detyrohen të heqin dorë nga trualli ku kanë banesën e tyre për masën e sipërfaqes që do të përfitojnë, ndërsa familjet që do të akomodohen në apartamente e kanë të detyrueshëm heqjen e pronësisë vetëm nëse pallati ndërtohet në pronën e tyre.

Për shtëpitë në fshat qeveria do të japë grante për rindërtimin e banesave.

Vendimi sanksion se kërkesa duhet të plotësohet me shkrim duke dorëzuar këtë formular individualisht në zyrat e njësisë vendore ku personi ka patur banesën e dëmtuar.

Bashkitë do të ndajnë shtëpitë për përfituesit duke patur si prioritet familjet me humbje të jetëve ditën e tërmetit, familjet me një prind, ata me përbërje të personave me aftësi të kufizuar, ata me kryefamiljarë pensionistë, familjet me ndihmë ekonomike dhe me të rënë në krye të detyrës.

Tv Klan