Manchester City sfidon PSG, Real Madrid gjen përballë Chelsea

Pari Së Zhërme-Mançester Siti dhe Çelsi-Real Madrid janë dy çiftet gjysmëfinale të sezonit 2020-2021 në Ligën e Kampionëve. Spanjollët dhe anglezët bënë mirë edhe në ndeshjen e kthimit, duke siguruar biletën për në raundin tjetër të turneut më të rëndësishëm për klube në Europë.

Spanjollët barazuan 0-0 me Liverpool në transfertë, teksa kishte fituar sfidën e parë 3-1. Pjesa e parë mes Real Madrid dhe Liverpool në “Anfield Road” pa skuadrën e Zinedine Zidane të kontrollonte gjithçka, duke menaxhuar fitoren në ndeshjen e parë.

Mançester Siti regjistroi fitore 2-1 dhe në ndeshjen e dytë ndaj Borussia Dortmund për të kaluar në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 4-2. Ishin verdhezinjtë ata që kaluan në avantazh, me një supergol të Bellingam. Goditje fantastike nga ana e anglezit, i cili bëhet britaniku më i ri që shënon në Ligën e Kampionëve.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën, Siti përmbysi gjithçka në 2-1. Mahrez barazoi nga pika e bardhë e penalltisë. Ndërkaq, në minutën e 75-të, Foden kaloi në avantazh Sitin që menaxhoi mirë rezultatin për të kaluar për herë të parë në 6 sezonet e fundit në gjysmëfinale e Champions League.

Klan News