Autoritetet në Venezuelë thonë se kanë arrestuar tre shtetas amerikanë, dy spanjollë dhe një çek, të cilët sipas tyre dyshohen se kanë thurur plane për të destabilizuar vendin.
Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello tha se janë sekuestruar qindra armë dhe se të ndaluarit planifikonin të vrisnin Presidentin Nicolas Maduro dhe të tjerë zyrtarë të rëndësishëm të Venezuelës.
Arrestimet vijnë dy ditë pasi Uashingtoni sanksionoi 16 zyrtarë venezuelianë të cilët janë të lidhur me Presidentin Maduro.
Qeveria tha se spanjollët e arrestuar janë të lidhur me Qendrën Kombëtare të Inteligjencës (CNI) në Madrid. Sidoqoftë, burime në qeverinë spanjolle kanë thënë për mediat lokale se kjo nuk është e vërtetë.
“CIA po udhëheq këtë operacion dhe ajo që nuk na habit ne, por ata, Qendra Kombëtare e Inteligjencës së Spanjës, gjithmonë kanë mbajtur një profil të ulët duke e ditur që CIA operon në këtë zonë. Këta dy të ndaluar na treguan për një grup mercenarësh që po shikojnë për të sjellë në Venezuelë me qëllimin e qartë, të vrasin Presidentin Nicolas Maduro, zv/Presidenten Delcy Rodriguez, mua dhe një grup tjetër shokësh që po udhëheqin partinë dhe revolucionin tonë”, tha ministri Cabello.
SHBA nga ana tjetër i ka mohuar akuzat.
“Çdo pretendim për përfshirjen e SHBA-së në një komplot për rrëzimin e Maduros nga pushteti është kategorikisht i pavërtetë”, tha Departamenti i Shtetit, ku shtoi se Uashingtoni vazhdon të mbështesë për një zgjidhje demokratike në krizën politike në Venezueslë.
Arrestimet janë kryer pas disa përplasjeve mes qeverisë së Maduroës me SHBA-në dhe Spanjën.
Kujtojmë se Maduro u shpall fitues i zgjedhjeve në Korrik nga Këshilli Kombëtar i Zgjedhjeve që është i lidhur me qeverinë në Venezuelë. Por Këshilli nuk publikoi detaje të votimeve që mbështesnin fitoren e Maduros.
Informacionet e publikuara nga opozita sugjeronin se kandidati i saj, Edmundo Gonzalez, ishte fituesi./tvklan.al