Artist që i është përgjigjur çdo kohe me muzikën e tij. Fjala është për Agim Prodanin, një nga kompozitorët më në zë dhe një prej themeluesve të muzikës së lehtë shqiptare. E veçanta e këtij kompozitori ka qenë se gjithnjë këngët e kompozuara prej tij kanë qenë ndër më të pëlqyerat jo vetëm të asaj kohe, por edhe sot.

Ai kujtohet gjithmonë nga të gjithë ata që e kanë njohur, si një nga artistët më të suksesshëm pasi këngët që mbajnë emrin e tij janë të pavdekshme. Edhe pse me “njollë” në biografi, Agim Prodani me talentin e tij, përkushtimin dhe dashurinë për muzikën ia doli të ishte nga ata kompozitorë që punonte me emrat e njohur të muzikës shqiptare. Janë të shumta këngët e tij, por ata që kanë mbetur në memorien e të gjithëve janë: “S’mendonja”, “Kënga e nënës”, Vajza me trëndafila”, “Në bankat e shkollës” e shumë hite të tjera.

Pas shumë krijimeve të suksesshme, Agim Prodani u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare, e tashmë janë bërë 30 vite që i mungon artit shqiptar. Ai kujtohet ende sot jo vetëm si një nga kompozitorët më të mirë, por edhe si një njeri mjaft fisnik.

Sot për të folur për Agim Prodanin, babanë e tij, ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan kantautori Kujtim Prodani. Gjatë emisionit ai rrëfeu marrëdhënien me të atin dhe ndau me të gjithë disa prej kujtimeve me të.

“Është shumë e vështirë të flasësh për prindërit. Do të dëshiroja ta kisha karshi në pozicionin e kolegut. Këtë fat unë nuk e pata. Ai mbetet pedagogu, inspiruesi im, por kolegë nuk u bëmë dot sepse nuk qe e shkruar, siç thotë populli. Pa insistimin e tij unë do të kisha qenë sot një profesionit i mirë apo më pak i mirë, por jo muzikant dhe artist. Ai insistoi deri në fund të jetës së tij që unë t’i përkushtohesha muzikës edhe pse ëndrra ime ishte sporti. Nuk e kisha menduar kurrë se do të ngjitesha në skenë si artist. Këtë ia dedikoj Agimit. Ai është ndarë nga jeta më 9 Qershor të 1989 në moshën 60-vjeçare. Unë në atë kohë kam qenë 26 vjeç, kisha mbaruar Institutin e Arteve.  Kur ai u nda nga jeta u shemb themeli i familjes, ishte i papritur largimi i tij nga jeta.

Humbjen e tij unë e kam përjetuar keq, që të mos më keqkuptoj publiku, por “dola nga binarët”. Largimi në Austri pas dy vitesh më hapi një dritare të re perspektive dhe dhimbja zu vend. Kur më jepet rasti të kujtoj Agimin në marrëdhënie me mua, dua apo nuk dua kaloj automatikisht në fëmijërinë time. Unë nuk kam pasur fëmijëri, isha i mbyllur në piano. Agimi ishte shumë serioz, kërkues dhe i vetmi që nuk më tha kurrë, bravo, apo të lumtë siç ndodhte me mësuesit apo nënën time. Kjo gjë më ka mbetur peng, do kisha dashur qoftë edhe një buzëqeshje apo një belbëzim prej tij. Anita thoshte që pasi largohesha unë ai kënaqej me ato që krijoja unë, por kënaqësinë në sy mua nuk ma dha. Nuk u kënaq kurrë”, tha Prodani./tvklan.al