Pasi i shpëtoi dhunës së bashkëshortit duke lënë pas torturën e dhimbjen, Manjola vendosi që ta lehtësonte familjen dhe të largohej. Ajo la pas djalin, Ademin dhe u largua në Itali për të punuar. Pas disa kohësh, ia doli të siguronte një shtëpi dhe të merrte djalin me vete që të jetonin të dy.
Ky është një tjetër moment kalvaresh që ajo ndan me rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Shteti italian vendosi që ta mbyllte atë banesë dhe Manjola nuk kishte dokumente. E vendosur në vështirësi, ajo pranoi sërish të martohej me dikë që nuk e donte.
Fqinji i saj shqiptar, një i ve me dy fëmijë të rritur, i ofroi që nënë e bir të jetonin me të. Pas disa kohësh erdhi në jetë një fëmijë që Manjola mendoi se do ta lidhte familjen. Në të vërtetë do të zbulonte se të gjitha paratë që ajo kishte punuar dhe ia dorëzonte gjithnjë bashkëshortit, ishin zhdukur. Djali i dytë i diagnostikuar me spektrin e autizmit rrezikonte të mbetej pa shkollë e kujdes të posaçëm.
Manjola: Në 2023, në qershor unë djalin e vogël e kam me çrregullime autizmi dhe shteti italian i ka dhënë 300 euro në muaj si pension dhe për këtë pjesë se zotëria nuk punonte, punoja vetëm….
Ardit Gjebrea: Ah, nuk punonte zotëria!
Manjola: Mund të shkonte 2-3 ditë, pastaj thoshte “më dhemb këmba, më dhemb kurrizi, më dhemb krahu”.
Ardit Gjebrea: Pra të gjithë familjen e mbaje ti.
Manjola: Thashë meqë unë nuk ia dal dot se nuk është se marr milionat, nuk ia dal dot me shkollën e djalit sepse e kam çuar në një kolegj djalin atje, te ca murgesha sepse atje ka edhe ndihmën për këtë gjë që ka. Them meqë shteti ka vendosur 300 euro, unë nuk paguaja më shumë se 300 euro shkollën e djalit, mund t’ia lëmë që t’ia heqim nga pensioni i vet. Kështu vendosëm, vendosa unë me mendjen time. Në qershor 2023, më vjen një letër nga shkolla që Manuel nuk mundet që të vazhdojë shkollën më në shtator.
Ardit Gjebrea: Pse?
Manjola: Sepse nuk ishte paguar shkolla për 1 vit. Shkoj në shtëpi, i them zotërisë, zotëria thotë që “i tërhoqa për të paguar këtë”, nuk e di se çfarë ishte “këtë” sepse nuk thoshte diçka, p.sh., pagova një biletë, por thoshte “këtë”, si ka mundësi thoshte? Nuk është pak, është 1 vit, janë 2650 euro për të paguar. Unë që detyrohem, marr një kredi dhe nuk ishte e para kredi që unë merrja në Itali, paguaj shkollën e djalit dhe flas me prindërit.
Ardit Gjebrea: Me prindërit e tu?
Manjola: Familja ime ishte në Itali.
Ardit Gjebrea: Pra ishin spostuar, kishin ardhur në Itali?
Manjola: Po.
Ardit Gjebrea: Po kur i the edhe për të dytin që unë s’mundem më, të paragjykuan?
Manjola: Në fillim më thanë “do të bësh mirë që ta lësh” sepse unë kisha 50 mijë euro borxh te bankat italiane, merrja për të paguar borxhe të tjera që m’i linte zotëria.
Manjola mori vendimin për divorc dhe thotë se tani jeton e lumtur me dy fëmijët e saj./tvklan.al