Disa ullinj autoktonë nga komuna italiane e Termolit, iu dhuruan kryeqytetit shqiptar si një mesazh paqeje dhe përbashkimi te Parku Europa. Për kreun e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, konkretizimi i kësaj nisme është një dëshmi e lidhjeve të forta dhe miqësisë me Italinë.

 “Kjo është një ndihmë konkrete dhe jam i lumtur që, në sheshin Skënderbej, në sheshin e heroit tonë të madh, në sheshin që na lidh me shqiptarët e Italisë, mbjellim këta ullinj, që do të jenë këtu përgjithmonë. Ne ndoshta nuk do të jemi në këto funksione, ndoshta do të bëjmë punë të tjera, por ulliri, rrënjët, miqësia, dashuria me njëri tjetrin do të mbetet përgjithmonë.”

Për Veliajn, kjo iniciativë, përveç impaktit mjedisor mbart edhe vlerat përbashkuese të ruajtura nga komuniteti arbëresh.

“Jam vërtet shumë i lumtur që pema e ullirit që shoqëroi shqiptarët dhe arbëreshët, kur u larguan nga Shqipëria, sot po kthehet mbrapsht. Në mënyrë simbolike, ullinjtë janë mesazhi i paqes, si ata ullinjtë që shoqëruan të gjithë komunitetin tonë arbëresh kur shkuan në Itali. Ju falenderoj shumë që keni mbajtur gjuhën, ju falendëroj shumë që keni mbajtur traditën dhe ju falenderoj shumë që sot kemi një ndihmë konkrete.”

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se falë bashkëpunimit dhe punës me miq të shteteve të ndryshme, bëhen gjëra të mrekullushme dhe ecet përpara.

Klan News