Emisioni “Stop” transmetoi këtë të enjte problematikën e përjashtimit të Vlora Deliut nga konkurrimi për vendin e punës si edukatore. Por ky problem ka ardhur nga Zyra e Burimeve Njerëzore në Komunën Gjakovë.

Drejtori i kësaj zyre, Kushtrim Brahimaj, i zënë ngushtë, u mbrojt duke thënë se nëse Ministria e Arsimit konfirmon paligjshmërinë ai do të ribëjë konkursin ku do të marrë pjesë edhe Vlora Deliu. 

Dr. Burimet Njerëzore, Kushtrim Brahimaj: Po, mos u nisni prej këtij parimi, po komuna e tjera mund edhe të mos i respektojnë këto dispozita. Ne duam ta respektojmë…

Gazetari: Jo, se është interpretim.

Dr. Burimet Njerëzore, Kushtrim Brahimaj: Vetëm opinioni ligjor i Ministrisë së Arsimit e sqaron dhe për ne dhe për ata.

Gazetari: Jurist je me profesion?

Dr. Burimet Njerëzore, Kushtrim Brahimaj: Jo, unë jam ekonomist, kam burimet njerëzore.

Gazetari: Ideja është interpretim ligji, se një jurist këtu kapet dhe te një shkronjë, më kupton? Këtu thotë në një shkollë, jo në një kopsht, që kështu nuk qëndron.

Dr. Burimet Njerëzore, Kushtrim Brahimaj: Faktikisht është institucion arsimor.

Gazetari: Jo, jo, sepse dhe komunat e tjera, që unë jam interesuar, se këtë po kapja unë, tani që i ke nënvizuar ti, për një shkollë, jo për një kopsht.

Dr. Burimet Njerëzore, Kushtrim Brahimaj: Unë dhe ju kemi vetëm një mospajtim. A është shkollë, a nuk është shkollë, çerdhe, a e kemi këtu problemin?

Gazetari: Këtu është!

Dr. Burimet Njerëzore, Kushtrim Brahimaj: D.m.th ligji është krejt i qartë deri këtu.

Gazetari: Do themi kopsht apo shkollë?

Dr. Burimet Njerëzore, Kushtrim Brahimaj: Ky është problemi te Ministria e Arsimit, jo tek ne.

Gazetari: Po ju i keni kërkuar sqarim ministrisë?

Dr. Burimet Njerëzore, Kushtrim Brahimaj: Jo, sepse për ne ka qenë e qartë, faktikisht në shkollë e kemi marrë.

Gazetari: Po paguhen lekë, që ikin nga taksat.

Dr. Burimet Njerëzore, Kushtrim Brahimaj: Po nuk është problemi ynë, kupton? Ligji është ligj!

Gazetari: N.q.s Ministria e Arsimit thotë, që ky ligj, ky nen, është vetëm për shkollat, nuk vlen për kopshtet. Ca ndodh pastaj këtu?

Dr. Burimet Njerëzore, Kushtrim Brahimaj: Ne vetëm na dërgo burimin, a është prej zyrës ligjore dhe a ka validitet edhe ne duhet të shohim, çfarë duhet të bëjmë! Nëse dikush i Ministrisë së Arsimit thotë, që s’bën, atëherë ne vërtetë jemi në problem.

Gazetar: Po jeni në problem, se edhe gjykata këtu ja, se kjo është mësuese shkolle, e keni heq me këtë ligj, që e penalizon…

Dr. Burimet Njerëzore, Kushtrim Brahimaj: Po, po!

Nga Gjakova “Stop” shkoi në Prishtinë, në Ministrinë e Arsimit dhe komunikoi me ministren, e cila përmes zyrës ligjore konfirmoi, se Komuna Gjakovë nuk e ka zhvilluar mirë procedurën.

Në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Arsimit thuhet se Komuna e Gjakovës ka zbatuar një ligj që përcakton se vetëm mbartësit publik të arsimit të lartë mund të ofrojnë programe studimi që çojnë në kualifikimin e një mësimdhënie për t’u punësuar në një shkollë. Në rastin konkret Komuna e Gjakovës nuk e ka marrë për bazë urdhrin administrativ për vlefshmërinë e programeve studimore. Me ndërhyrjen e emisionit “Stop” situata ndryshoi. Tani pritet që konkursi të zhvillohet sërish dhe Vlora të jetë pjesë e tij./tvklan.al