Komunat e banuara me shumicë serbe kanë shënuar daljen më të lartë në zgjedhjet lokale të Kosovës, që po mbahen këtë të diel.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00, Komuna e Zveçanit ka daljen më të lartë, përkatësisht 56.91 për qind e qytetarëve kanë votuar.

Pas Zveçanit është Mitrovica e Veriut me 55.03, pasuar nga Leposaviqi me 47.97 për qind të daljes së qytetarëve.

Pjesëmarrje të lartë ka shënuar edhe Novobërda me 46.58 për qind, Zubin Potoku me 44.53 për qind, Shtërpca me 42.43 për qind, Ranillugu 40.68 dhe Kllokoti me 37.50 për qind.

Në fund, radhiten Parteshi me 36.30 për qind dhe Graçanica me 32.47 për qind.

Në Prishtinë, deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 28 për qind, kurse komunat me daljen më të ulët janë Dragashi dhe Prizreni me nga 20 për qind.

Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 26.8 për qind e votuesve në nivel vendi.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi zgjedhor ka shkuar në përgjithësi qetë dhe pa incidente të theksuara.

Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.

Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Në këto zgjedhje, qytetarët do të mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist./REL