Teknologjia, mënyra e jetesës ka vështirësuar edhe më shumë komunikimin e fëmijëve me prindërit, sidomos në adoleshencë. Ndaj në shumë raste prindërit kërkojnë ndihmën e psikologëve.
“Kur shikojnë sjellje divijante, që kanë dalë jashtë kontrollit dhe ata nuk i menaxhojnë dot. Përdorimi i lëndëve narkotike, sjelljet agresive të fëmijëve, largimi nga shkolla, largimi nga shtëpia, pra bën sjellje të ekzagjeruar dhe prindi nuk ka më kontroll dhe nuk dinë më si t’i menaxhojnë. Ky është momenti që vijnë dhe kërkojnë ndihmë”, tha psikologia Adelina Pjetra.
Psikologia Adelina Pjetra thotë se në rastet e abuzimeve me substanca narkotike që në moshë të vogël, situata bëhet edhe më e rënduar, ndërkohë që rastet e tilla janë në rritje.
“Që nga pandemia, që nga kalimi te sistemi online ka sjellë dëme të mëdha te gjithë fëmijët, te të gjithë grupmoshat dhe që nga ai moment deri më sot shikoj që është shtuar jashtë mase shumë problemet e shëndetit mendor te kjo grupmosh”, tha Adelina Pjetra.
Sipas saj masat kufizuese për Tik Tok-un nuk pritet të sjellin përmirësim të situatës, pasi problem është ndjekja e modeleve të gabuara nga të rinjtë dhe fëmijët.
“Komplet sistemi i jetës sot, i nxitimit të adoleshentëve për t’u sjellë si të rritur në një moshë që nuk i kuptojnë dot dëmet që mund t’i shkaktojnë jetës së tyre në të ardhmen nga veprimet e nxituara që bëjnë, duke modeluar sjellje të të rriturve që ata mund t’i kenë idhuj si në filma, si në fushën e muzikës, apo rrjeteve të ndryshme sociale.
Tik Tok-u është vetëm një hallkë e zinxhrit. Adoleshentët sot kanë rrjete të tjera sociale që dhe për mua janë të panjohura, ku ata komunikojnë me njëri-tjetrin. Dhe kryesisht të rritur as që i dinë këto aplikacione që ata i përdorin”, tha Adelina Pjetra.
Psikologia këshillon që prindërit të jenë më prezent në jetën e fëmijëve jo duke i kontrolluar, sepse ashtu mund të krijojnë më shumë distancë mes tyre, por vëzhgues, dëgjues të mirë, dhe të kufizojnë kohën e qëndrimit të tyre në rrjete sociale.
Klan News