Misteri i ngjyrosjes së naftës

‘Global Fluids International’, për të cilën sipërmarrësi turk Adnan Polat përfundoi në dyert e drejtësisë turke si denoncues i ndërmjetësit shqiptar Sinan Idrizi, është një nga kompanitë më të diskutuara në Shqipëri. GFI fitoi koncensionin e markimit të karburantit në terr të plotë në Shkurt të vitit 2013, kur vendi drejtohej nga Sali Berisha, pak muaj para se ai të dorëzonte pushtetin 8-vjeçar.

Një kontratë mjaft e diskutuar pasi ndikoi në rritjen e çmimit të karburantit në vend. Socialistët atëherë në opozitë, premtuan anulimin e marrëveshjes kur të vinin në pushtet. Por diçka e tillë nuk ndodhi. Jo vetëm që nuk u anulua, por kompania kërkoi nga qeveria shqiptare zgjerimin e aktivitetit, një proces që do të rriste ndjeshëm fitimet e kompanisë.

Në Dhjetor të vitit 2015 ajo njoftoi ndalimin e punës dhe botet me naftë mbetën në Porto Romano. Në fund të atij viti kompania firmosi me qeverinë që të zgjeronte aktivitetin edhe për ngjyrosjen e naftës bruto. Pak muaj më vonë në 2016 plasi skandali Panama Papers dhe një prej kompanive në parajsë fiskale ishte edhe GFI Albania. Zëra nga brenda mazhorancës rikthyen akuzat për firmën.

Ndërkohë vijonin tentativat që të bëhej edhe markimi i naftës bruto. Në këtë periudhë biznesmeni turk Adnan Polat vendos të investojë dhe të blejë kompaninë GFI Albania. Referuar padisë, Sinan Idrizi i garanton realizimin e biznesit, por pas zgjedhjeve të vitit 2017. Në fund të këtij viti dhe pak muaj pas zgjedhjeve, u lajmërua se procesi i markimit të naftës bruto ishte teknikisht i pamundur.

Mesa duket mosrealizimi i këtij procesi ka krijuar edhe krisjen e ujdisë mes dy biznesmenëve dhe transaksioni nuk u krye, dhe Polat nuk mori mbrapsht as kaparin prej 3.5 milionë Eurosh që kishte paguar në llogarinë e Sinan Idrizit.

Klan Plus