Koncert i madh për largimin e pandemisë




Koncert i madh për largimin e pandemisë

22:40 08/06/2021

Eventi do të organizohet në Central Park të New York në muajin Gusht

Në New York pritet të organizohet një koncert në Central Park me një kast aktorësh të mëdhenj muzikorë për të festuar rikthimin e normalitetit në qytet nga pandemia e koronavirusit. Eventi live do të realizohet në muajin Gusht dhe do të jetë një pjesë e kremtimeve 1 javore në të gjithë qytetin. Pavarësisht se nuk ka ende një datë sipas New York Times, 21 Gusht është caktuar paraprakisht.

Organizatori do të jetë Clive Davis, një figurë legjendare e industrisë së muzikës i cili do të mbledhë së bashku në ngjarjen e madhe një listë artistësh me shumë yje. Koncerti do të jetë i ndarë me seksione për qytetarë të pavaksinuara dhe të vaksinuar ku këta të fundit do të zotërojnë 70% të biletave.

Të inkurajuar nga moti i ngrohtë, rrugët e New York-ut, restorantet dhe parqet e qytetit kanë marrë sërish jetë. Një ditë më parë qyteti i New York-ut shënoi normën më të ulët të pozitivitetit që nga fillimi i pandemisë me 0.71%. 

Gati 4.5 milion njerëz kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës koronavirus ndërsa zyrtarët ofrojnë stimuj për t’i shtyrë ata që ende hezitojnë të marrin vaksinën. New York do të heqë shumicën e kufizimeve të mbetura COVID-19 kur 70% e banorëve të kenë marrë të paktën një dozë të vaksinës, 1.4% larg normës aktuale.

Klan News





Të ngjashme