Turi i takimeve “Shqipëria në NATO”, që kryeministri Sali Berisha ka ndërmarrë së fundi është shndërruar në një festë të vërtetë në Pallatin e Kongreseve.

Një koncert me këngëtarët më të njohur shqiptar të rinj nga e gjithë Shqipëria kanë festuar për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Mes atmosferës festive kryeministri Berisha ka përshëndetur të rinjtë, duke i cilësuar ata si gjenerata e parë e lirë dhe anëtar të NATO-s.

Sali Berisha: “U drejtohem ju sot nga kjo platformë me një nderim të madh ndaj jush, ndaj të gjithë të rinjve shqiptar, sepse ju në historinë e dhimbshme të Shqipërisë jeni gjenerata e parë e lirë e saj. Jeni gjenerata e parë që nisni kontributin si anëtarë të NATO-s.”

Kreu i ekzekutivit ka ripërsëritur edhe njëherë angazhimin e tij dhe të qeverisë për të përmbushur të gjitha premtimet për përmirësimin e jetës dhe shkollimin e të rinjve.

Sali Berisha: “Do të bëj çdo përpjekje për shkollimin tuaj, do bëj çdo përpjekje për punësimin tuaj, do bëj çdo përpjekje për projektin tuaj europian. Me ju, unë kam një kontratë, të gjatë sa kam jetën time në politikë. Pas librave të shenjtë, kontrata me ju është një libër i shenjtë për mua. Do punoj çdo ditë së bashku me ju, do ta zbatojë atë pikë për pikë.”

Koncerti festiv ka vijuar për gati 2 orë në Pallatin e Kongreseve ku të rinjtë kanë kërcyer e kënduar nën ritmin e muzikës./tvklan.al