Qeveria do të japë edhe shërbimet në porte me koncesion. Televizioni Klan ka arritur të sigurojë kërkesën që Ministria e Transporteve ka dërguar në Agjencinë e Prokurimeve Publike, ku interesohet për të shpallur tenderin për partneritet publik – privat për shërbimin e rimorkatori

Ky shërbim duhet të paguhet nga të gjithë bizneset  të cilët kanë anije, tragete apo barka për të ankoruar në Port.

Deri tani, ka patur vetëm një agjenci e cila kryesisht punonte në Portin e Durrësit dhe ndihmonte kompani të ndryshme detare për ankorimin e mjeteve në det.

Burime për Televizionin Klan, thonë se kontrata e kësaj firme përfundon në muajin mars, ndaj është vendosur që ky shërbim t’i rijepet një operatori privat, por këtë herë për të gjithë portet detare të vendit.

Janë gjithsej 6 porte në Shqipëri, 4 shtetërore (Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë) dhe 2 privatë (Porto Romano dhe Petrolifera), të cilët kryejnë më shumë se gjysmën e shkëmbimeve tregtare të mallrave në vend. Volumi i ngarkim – shkarkimit në portet shtetërore është 3 milion ton, ndërsa numri i pasagjerëve  që kalojnë aty 1.4 milion në vit.

Dy portet private kryejnë shkëmbimet tregtare për të gjitha llojet e mallrave të tipit naftë, benzinë dhe gazoil. Në dokumentet e tenderit thuhet se fituese do të shpallet oferta më e mirë, por nuk përcaktohet sa do te jete tarifa që do të paguajnë bizneset apo qytetaret qe do ta marrin këtë shërbim./ TV KLAN