Partia Demokratike kallëzoi 10 persona për koncesionin

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka regjistruar këtë të martë kallëzimin penal të bërë nga Partia Demokratike më 5 Shkurt për koncesionin e Check-Up.

Selia blu ka kallëzuar 10 persona, mes të cilëve ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, ministren aktuale Ogerta Manastirliu, drejtues dhe ish-drejtues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe aksioneren e kompanisë përfituese të Check-Up, Vilma Nushin.

Shtatë janë akuzat që ka ngritur ndaj tyre Partia Demokratike, si korrupsioni aktiv e pasiv, shpërdorimi i detyrës apo përfitimi i paligjshëm.

Në kallëzim thuhet se ka prova dhe fakte për shkeljen e ligjit, në dy faza, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit, si dhe zbatimin e kontratës.

Sipas selisë blu, Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor dhe se procedurat koncesionare kanë qenë fikitive dhe fituesi ka qenë i paracaktuar.

Për Partinë Demokratike, shkeljet e kryera kanë sjellë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. Në kallëzim thuhet se zyrtarët e kallëzuar, edhe pse janë të detyruar me ligj, nuk kanë ushtruar kontrolle ndaj koncesionarit për të parë nëse respektohet afati i realizimit të analizave prej 3 orësh, a janë ndërtuar 475 pika Check-Up dhe 20 laboratorë.

Tv Klan