Partia Demokratike me anë të ish-deputetit Enkelejd Alibeaj ka hedhur akuza kundër qeverisë për koncesionin e rrugës Milot-Fier. Në një deklaratë nga selia blu, Alibeaj u shpreh se rruga Milot-Fier, me çmimin stratosferik 1.2 miliard euro, ka vetëm një ofertues dhe kjo është kompania greke Terna.

Ka shkuar pikë për pikë siç e kemi parashikuar ne, që në shkurt, akoma pa u hapur tenderi farsë. Belinda Balluku nuk iu përgjigj atëherë pyetjes se çfarë e lidh me kompaninë greke. As sot nuk është në gjendje të shpjegojë pse vetëm kompania greke mori pjesë në tenderin që ajo dhe Edi Rama e shpallën me bujë të madhe disa javë më parë”, u shpreh deputeti.

Sipas PD, ky koncesion do të detyrojë qytetarët që do të kalojnë në këtë rrugë të paguajnë të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje.

17.4 euro për një udhëtim në një rrugë ku më shumë se gjysma është e ndërtuar me para publike, do të thotë vetëm nxitim për mbyllje pazari. Ky projekt korruptiv, që rëndon akoma më shumë xhepat e shqiptarëve nuk ka për të sukses! Është një aferë që ka për të dështuar. Partia Demokratike i ka bërë thirrje  çdo kompanie të tërhiqet nga ky projekt që vjedh qytetarët në ortakëri me Edi Ramën”, shtoi deputeti./tvklan.al