Mosmarrëveshje për reduktimin e ngrohjes globale deri në 1.5 gradë

Glasgow hapi dyert për Konferencën Botërore të Klimës së OKB-së, me pjesëmarrje të krerëve të lartë të politikës dhe delegatëve nga rreth 200 vende. Ata pritet të bëjnë me dije se cilat janë masat konkrete që do të ndërmerren në nivel global për të ulur emetimet deri në vitin 2030 dhe sesi do të ndihmohet planeti ynë.

Politikanë dhe ekspertë do të diskutojnë në Glasgow se si mund të arrihen objektivat për mbrojtjen e klimës

Udhëheqësit e G20-s ranë dakord për të kufizuar ngrohjen globale në 1,5 gradë mbi nivelet paraindustriale, me formulime më ambicioze sesa në marrëveshjen e Parisit.

Vendet e G20-s kanë rënë dakord të ndalojnë këtë vit subvencionimin e projekteve të reja të termocentraleve me qymyr jashtë vendit, sipas një deklaratës përfundimtare. “Ne do t’i japim fund dhënies së fondeve publike ndërkombëtare për termocentrale të reja me qymyr deri në fund të vitit 2021”, thuhet në tekst, që, megjithatë, nuk vendos një objektiv për braktisjen e qymyrit në nivel kombëtar.

Në qendër të debatit të konferencës ndodhet zbatimi vullnetar i qëllimeve të vendosura nga shtetet deri në vitin 2030. Një sërë vendesh, mes tyre edhe Kina, nuk kanë paraqitur plane të aktualizuara deri në vitin 2030,

Kryeministri i vendit mikpritës të konferencës Boris Johnson, kërkoi një përshpejtim të përpjekjeve për kufizimin e ngrohjes globale. Johnson tha ky samit do të jetë “momenti i së vërtetës në botë”.

Sipas Johnson njerëzimi ndodhet në këtë pjesë të parë të ndeshjes 5:1 në disavantazh, por liderët duhet të reflektojnë dhe vendet e pasura të marrin përgjegjësi.

‘Veproni tani’ është thirrja e mijëra aktivistëve nga e gjithë bota që janë mbledhur në Glasgow në përpjekje për të ushtruar presion mbi liderët botërorë.

Kthimi i Shteteve të Bashkuara, ekonomisë më të madhe në botë, në bisedimet e OKB-së për klimën do të jetë një ndihmë për konferencën, pas një mungese katërvjeçare nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump.

Me ngrohjen e klimës për shkak të emetimeve të karburanteve fosile të shkaktuara nga njerëzit, shkencëtarët paralajmërojnë se nevojitet veprim urgjent për të shmangur një katastrofë klimatike.

Organizata për mbrojtjen e fëmijëve, UNICEF kërkoi që në investimet e nevojshme për klimën të kihen parasysh fëmijët dhe të rinjtë. Aktivistja e njohur e klimës, Greta Thunberg protestoi në Londër duke kërkuar më shumë angazhim për klimën dhe kritikoi rolin e bankave në botë në krizën e klimës mes tyre edhe mbështetjen e nxjerrjes së energjive fosile.

Vëmendje e veçantë në konferencën e Glasgow-t pritet t’i kushtohet reduktimit të emetimeve të CO2-it. Një plan i presidencës britanike të konferencës parashikon që ky plan të arrihet më së voni deri në vitin 2023. Vendet e industrializuara nuk e kanë bërë realitet premtimin, se do të vinin në dispozicion 100 miliardë dollarë për këtë qëllim.

Klan News