Punësimin e ka renditur si prioritet të parë në këtë mandat të qeverisë së tij, ndaj dhe optimizmin nuk e fsheh  kur i referohet shifrave të tre muajve të fundit të dala nga zyrat e punës. Në konferencën kombëtare të punësimit, Kryeministri Rama u shpreh besimplotë se në 2018-ën rritja e punësimit do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Në tre muajt e fundit kemi mbi 10 mijë të punësuar dhe jemi shumë optimistë se do të realizojmë objektivin që të kemi 25 mijë të punësuar të rinj brenda vitit vetëm përmes zyrave të punës”.

Kurba në rritje e punësimit, sipas ministrit të Financave Arben Ahmetaj, ka një faktor përcaktues.

“Taksa progresive çliroi punesimin. 667 mijë të punësuar, mbi 240 mijë vende të reja pune si rezultat i zhvillimit ekonomisë, dhe formalizimit. Erdhëm nga 17.6% papunësi dhe po zbresim në objektivin 1-shifror të papunësisë”.

Pavarësisht rritjes së punësimit, qeveria sheh me shqetësim evazionin me pagat tek biznesi i madh. Për herë të parë Kryeministri foli me shifra që prej nisjes së aksionit anti-informalitet në Shtator të vitit 2015.

“Sipas statistikave, 41% e të punësuarve në biznesin e madh paguhen me 30 mijë Lekë të reja në muaj. Kjo nuk është e mundur, pasi ne e dimë sesa paguhet një ekspert, një inxhinier, një teknik apo një ndërtues”.

Gjatë Konferencës Kombëtare të Punësimit, Kryeministri u ndal edhe tek një tjetër premtim i qeverisë, ai për uljen e tatim-fitimit nga 15 në 5% për të gjitha ato biznese që kalojnë nga 8 milionë në 14 milionë xhiron vjetore.

Tv Klan