Reperja kosovare Loredana Zefi është bërë një prej këngëtareve që ndiqet nga shumë fansa. Bashkëpunimet e fundit me bashkëshortin e saj, reperin Mozzik kanë bërë që ajo të jetë në qendër të mediave rozë. Mirëpo askush nuk e priste që në më pak se një vit karrierë, Loredana të përfshihej në një prej skandaleve më të mëdha që mund të ketë përjetuar një artist shqiptar. Lajmi i dhënë nga median zvicerane  “20 minuta” se Loredana Zefi ka mashtruar një çift zviceran, duke i marrë një shumë të konsiderueshme parash bashkë me vëllain e saj Berat Zefi, duket se u përhap gjithandej. Në media u publikuan disa versione të ngjarjes dhe akuzave ndaj reperes. Ende pa u sqaruar se si ka ndodhur ky mashtrim në të vërtetë dhe marrja e 900 mijë frangave nga çifti zviceran, reperja vendosi të kthehej në Prishtinë dhe me anë të një konference për shtyp të hidhte poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj saj.

“Nuk janë marrë para me dhunë, nuk janë marrë para me mashtrime dhe nuk janë marrë para me kërcënim. Këto para, shumën e të cilave nuk e di, janë marrë me vullnet të palës tjetër”,

deklaroi reperja.

Gjatë konferencës ajo dukej e qetë dhe e mbështetur në krahë nga bashkëshorti i saj dhe nga dy avokatët. Gjatë gjithë kohës ajo lëvizte duart vazhdimisht dhe nuk hoqi për asnjë moment syzet e errëta. Mësohet se ajo qëndroi në Kosovë për të përfunduar xhirimet e kripit të ri dhe më pas është nisur drejt shtëpisë së saj në Zvicër.

Për të folur më shumë rreth kësaj ngjarje ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, gazetaret Iva Tiço, Enxhi Lula dhe blogeri Olti Curri.

“E kam ndjekur ngjarjen. Loredana është repere shumë e ndjekur dhe më kishte bërë kurioz. Fillimisht ajo ishte e famshme në Zvicër, më pas u martua me një reper të njohur si Mozzik, por ishte tek personazhet e mesëm derisa ndodhi kjo ngjarje. Konferenca e shtypit m’u duk imitim i atyre që kemi parë nga Nicki Minaj apo repere të tjera. Ajo mund të bënte një status në Facebook me 10 rreshta ashtu siç e tha edhe në konferencë ku kishte marrë 2 avokatë, 100 fotografë dhe gazetarë. Ajo nuk tha asgjë në atë konferencë, por edhe gazetarët ishin të pavëmendshëm. Konferenca ishte si videoklipet e këngëtareve që këndojnë nëpër fast fond-e dhe pastaj hedhin miliona nëpër videoklipe”,

tha Curri.

“Ajo që do thosha unë është se Loredana përmes konferencës kishte mundësi të sqarohej dhe nëse ishte e pafajshme ta mbyllte këtë muhabet një herë e mirë. Por në fakt pas konferencës ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje, gjë që ka bërë të shkruhet dhe më shumë dhe të ngrihen më shumë dyshime”,

tha Lula.

“Konferenca e shtypit i dha më tepër bujë Loredanës. Në shtypin zviceran ajo është trajtuar si ngjarje normale e kronikës së zezë, është një mashtrim që është shoqëruar me një arrestim. Gjithsesi në asnjë moment nuk u mohuan paratë, me apo pa vullnet. Ajo duhet të kishte thënë se përse u dhuruan paratë dhe do të kishte qenë më bindëse”,

tha Tiço.

/tvklan.al