Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Konferenca kombëtare gjyqësore ishte kontributi për forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Ka përfunduar sot ky takim i rëndësishëm kombëtar, i pari i organizuar pas miratimit të kushtetutës shqiptare, i cili hodhi bazat e institucionalizimit të diskutimit rreth problemeve që shqetësojnë sistemin gjyqsor.

Gjatë punimeve të saj kjo konferencë jo vetëm që analizoi punën e bërë deri tani por miratoi edhe dokumentin e saj bazë, Statutin e Gjyqtarëve, që përcakton të drejtat dhe detyrimet e tyre. Kjo Konferencë e quajti të domosdoshme të transmetojë tek dy pushtetet e tjerë, legjislativi dhe ekzekutivi, nevojën për një pavarësi me të madhe dhe efektive buxhetore e vetadministruese.

Gjithashtu është vërejtur nevoja e përshtatjes së legjislacionit ekzistues me Kushtetutën e Re për krijimin e institucioneve të reja të parashikuara nga ajo. Në konferencën e sotme për shtyp të organizuar në përfundim të saj edhe njëherë janë pranuar problemet e mëdha që ka sistemi gjyqsor shqiptar.  

Thimio Kondi, Kryetar i Gjykatës së Lartë:- “Atje ku ka pasur fakte, faktet janë prezantuar, ose ku ka pasur shkelje të ligjit për të cilat ka të dhëna për korrupsion, atje ku s’është provuar atje jemi ndalur vetëm tek përgjegjësia disiplinore e gjyqtarëve. Pra në qoftë se ka shkelje të ligjeve, të procedurës etj, të gjitha këto shkelje në një mënyrë osë në një tjetër të çojnë në përfundimin se ka ose paaftësi ose korrupsion, ose për të dyja”.

Në dokumentet e miratuara kjo Konferencë parashikon që 2/3 e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të zgjidhen nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore. Ndërkohë që Këshilli Ekzekutiv organi më i lartë i Konferencës i përbërë nga 17 gjyqtarë të të gjitha niveleve do të drejtojë punën një vjeçare midis dy konferencave.

Po ashtu Karta Europiane për statusin e gjyqtarëve e miratuar dje pasdite hap rrugën për unifikimin e të drejtave dhe detyrimeve të gjyqtarëve në të gjithë kontinentin tonë. Sipas kryetarit të Gjykatës së Lartë Thimio Kondi zbatimi i Kushtetutës dhe ligjeve është e vetmja mundësi për një drejtësi reale në eleminimin e shfaqeve të korrupsionit në një rrugë tërësisht institucionale./tvklan.al