Shqipëria hedh sot një tjetër hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ku në Luksemburg mbahet pasditen e sotme Konferenca e katërt Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
I pyetur lidhur me këtë zhvillim, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për shtyp është shprehur se ky takim është i vendosur për tu mbajtur që katër muaj më parë.
Berisha ndër të tjera u shpreh se për PD integrimi i Shqipërisë në BE është çështje numër 1 e interesit kombëtar. Ai u shpreh se do të punojë fortë për të zbatuar në këtë vend dhe për të ndërtuar standardet dhe kriteret evropiane për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Ky vendim është i katër muajve më parë. Është një skedulë e katër muajve më parë. Por theksoj këtu, se për PD-në, integrimi i Shqipërisë në BE është interesi kombëtar. E shpall çështje numër 1 të interesit kombëtar të Shqipërisë, yllin polar të programit tonë. Në këtë kontekst, në qoftë se ka një forcë politike që ka dëshmuar seriozitet të plotë në procesin e integrimit dhe ka arritur çdo objektiv që ka përcaktuar, kjo është PD. Sali Berisha nuk i shtrin dhe nuk do i shtrijë dorën asnjë njeriu, përveçse do punojë fort për të zbatuar në këtë vend, për të arritur në këtë vend, për të ndërtuar në këtë vend standardet dhe kriteret evropiane, të cilat janë rruga më e sigurt e integrimit të Shqipërisë në BE”, shprehet Berisha.
Ndër të tjera Berisha fton të gjithë shqiptarët të votojnë PD si forca politike që ka dhënë provat se mund të integrojë Shqipërinë në BE.
“Ndaj i ftoj të gjithë shqiptarët të mendojnë se nëse janë vërtet për integrimin, të votojnë forcën politike që ka dhënë prova të pakundërshtueshme se ajo integron. Ka integruar në Këshillin e Europës, ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE, ka liberalizuar vizat, ka marrë rekomandimin nga KE për statusin e kandidatit dhe ka marrë festën dhe ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO. Të gjitha këto në 8 vite. Pra, ata që kanë ADN-në e integrimit, ata dihet se kush janë dhe të mos mashtrohen me pasaportën false të Edi Ramës, të cilën sot për sot nuk e pranon askush. Shqiptarët kanë vetëm një alternativë për pasaportën evropiane, të ikin nga Shqipëria”, thekson Berisha.
/tvklan.al