Konfindustria: Të anulohet koncesioni i pompave të karburanteve

Konfindustria: Të anulohet koncesioni i pompave të karburanteve

15:47 24/10/2018

Konfindustria kërkon që qeveria të tërhiqet nga nisma për të dhënë me koncesion shërbimin e kontrollit të instrumenteve matës të karburanteve. Gjergj Buxhuku, sqaron në një intervistë për Televizionin Klan se pezullimi i tenderit për këtë shërbim nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik është një masë pozitive, por kërkon tërheqje të plotë për zhvillimin e tij.

Për kreun e Konfindustrias, jo vetëm kushtet e vendosura në tender ishin të pandershme dhe diskriminuese, por dhënia në përgjegjësi të privatit të kontrollit të pompave të naftës së karburanteve do të sillte amulli në treg dhe penalizim për qytetarët.

Është njësoj si të japësh me koncesion laboratorin e Kriminalistikës, thotë ai.

Në Qershor Këshilli i Ministrave miratoi një bonus me 10% të pikëve për kompaninë Noa Control, e cila ka bërë një ofertë të pakërkuar për të marrë me koncesion kontrollin e pompave të karburanteve.

Sot këtë shërbim e kryen Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë kundrejt një tarife prej 7 mijë lekësh të rinj për kolaudimin e një njësie. Të njëjtën ofertë ka bërë edhe Noa Control, e cila propozon që kontrolli të bëhet për kolaudimin e një pajisjeje që ka pika e karburantit.

Pas hapjes së tenderit, ku Noa Control është futur në garë me përparësi pikësh, një kompani zvicerane dhe një shoqatë biznesi ankimuan kushtet e vendosura në këtë procedurë për përzgjedhjen e fituesit, çka çoi në pezullimin e procedurave.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT