Ka shkuar në 4 numri i vatrave të konfirmuara me gripin e shpendëve në Shqipëri. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton se Influenca Aviare është konfirmuar në Zall Herr, Nartë, Paskuqan dhe së fundmi edhe në Lagunën e Karavastasë.
“Prej rastit të parë të konfirmuar Shërbimi Veterinar Rajonal ka marrë të gjitha masat e duhura për monitorimin e situatës shëndetësore të shpendëve të butë, për izolimin e infeksionit me qëllim parandalimin e përhapjes duke vijuar komunikimin me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura për monitorime dy-palëshe të faunës së egër në zonat lagunore e ujore të mbrojtura”, konfirmon Ministria e Bujqësisë.
Në zonat ku janë 4 vatrat e konfirmuara ndalohet shitja dhe tregtimi i shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla. Për të ulur nivelin e riskut të kontaktit me shpendët e egër dhe migratorë duhet kufizuar ekspozimi i shpendëve në mjedise të hapura.
Sakaq, janë testuar edhe personat e kontaktit dhe rezultatet janë negative. Në populate, sipas ISHP duhet të shtohet sensibilizimi për të mos i prekur shpendët e ngordhur.
Tv Klan