Asnjë prej të infektuarve nuk ishte vaksinuar

Shtatë raste të pacientëve që janë infektuar me virusin “indian” deri tani janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Sipas epidemiologut Dr.Goran Kungulovski nga Laboratori në Spitalin privat “Zhan Mitrev” sot janë konfirmuar 6 raste të reja, 4 në Shëndetin Publik dhe 2 në Klinikën “Zhan Mitrev”. Një pacient gjendet në Spitalin e Velesit. Ai është kthyer nga Anglia para disa javëve. Gjashtë të tjerë janë të akomoduar në klinika private, ku dy prej tyre janë në klinikën “Zhan Mitrev”.

Në Laboratorin për Gjenetikë dhe Mjekësi të Personalizuar pranë Klinikës “Zhan Mitrev” në Shkup, gjatë ditës së djeshme janë identifikuar dy pacientë pozitiv me llojin “Delta” të Covid-19 me çka edhe zyrtarisht është konfirmuar se lloji “indian” po përhapet në RMV, kanë thënë nga Klinika. MSH-ja njoftoi se të gjithë të infektuarit me llojin “indian” të virusit janë pacientë që nuk janë të vaksinuar.

“Pas anketave të bëra me pacientët është konstatuar se asnjëri prej tyre nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinës. Nga numri i përgjithshëm i pacientëve pozitiv me llojin “indian”, vetëm njëri është në situatë të rëndë shëndetësore. Bëhet fjalë për një pacient, i cili 8-9 ditë pas paraqitjes së simptomave, ka refuzuar të vizitojë mjekun dhe ka qenë në izolim shtëpiak. Për momentin po bëhen anketa epidemiologjike për anëtarët tjerë të familjeve të dy pacientëve të shtruar në spital”.

MSH-ja ka reaguar ndaj disa qëndrimeve të publikuara në media se vaksina kineze “Sinovac’ nuk mbron nga varianti “indian” i virusit dhe nga pasqyra e rëndë klinike.

“Ky pohim është absolutisht i pasaktë, nuk ka asnjë studim ose dëshmi shkencore që e konfirmojnë këtë. Bëjmë thirrje që mediat të mos plasojnë teza të paverifikuara nga individë që nuk janë të bazuara në informacione zyrtare nga institucione ndërkombëtare të shëndetësisë”.

Sipas tyre, analizat e deritashme dhe informacionet zyrtare të OBSH-së që ka miratuar këtë vaksinë, tregojnë se e njëjta është me 51% efikase gjatë mbrojtjes së rasteve asimptomatike dhe mbron 100% nga forma e rëndë e sëmundjes.

Tv Klan