Identifikohen 3 vatra në Fushë-Krujë, Dajt dhe Bujan

Konfirmohet prania e gripit të shpendëve në vendin tonë. Ministra e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural thotë se u vendos në alarm pas njoftimit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve për praninë e virusit H5N8 në disa vende të rajonit dhe më gjerë. Pas analizimit të mostrave nga rastet e dyshimta në shpendë të oborrit, në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë u konfirmua prania e virusit në 3 vatra, përkatësisht në Fushë-Krujë, në Dajt në periferi të Tiranës dhe në Bujan të Tropojës.

Shpendët e infektuar janë asgjësuar nga ekspertët. Për këtë shkak, Ministrja e Bujqësisë ka urdhëruar ndalimin në rang kombëtar të tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla. Do të lejohet lëvizja e shpendëve me destinacion thertoret, të shoqëruar vetëm me certifikatë shëndetësore veterinare. Deri tani nuk ka pasur raste në komplekse të rritjes së shpendëve. 

Ministria thekson se produktet dhe nënproduktet me origjinë nga këto shpendë nuk paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve. E rëndësishme është respektimi i higjienës dhe gatimi në temperatura të larta të të gjitha produkteve me origjinë shtazore.

Pak ditë më parë, Shqipëria vendosi të ndalojë importin e shpendëve të gjallë dhe nënprodukteve të tyre nga Kosova, veriu i Greqisë të cilat iu bashkuan listës me 15 shtete të tjera të vendosura që prej janarit. Virusi i gripit të shpendëve mund të transmetohet te njeriu dhe të shkaktojë komplikacione shëndetësore, por deri më sot është konstatuar vetëm 1 rast në Kinë të transmetimit të tij te njeriu.

Tv Klan