Ditën e nesërme mbërrijnë në Shqipëri 15 mijë doza të tjera nga Pfizer. Mirëpo kryeministri Edi Rama ka dhënë një lajm tjetër të mirë. Mësohet se brenda dy javëve të para të Marsit vendi do të furnizohet me vaksinën AstraZeneca përmes sistemit Covax.

Mësohet se kjo vaksinë do të përdoret në vaksinimin e mësuesve.

“Ajo që mbetet sfida është të sigurojmë doza të konsiderueshme dhe shpresoj të kemi lajme shumë shpejt”.

“Nesër mbërrijnë 15 mijë doza të tjera Pfizer dhe brenda dy javëve të para të marsit COVAX ka konfirmuar më në fund, nisjen e furnizimit me vaksinën AstraZeneca, të cilën do ta fusim menjëherë në procesin e vaksinimit të mësuesve”, shkruan ai në Facebook, ndërkohë që ka vizituar procesin e vaksinimit në stadiumin “Air Albania”.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se priten që të vijnë 14 mijë vaksina AstraZeneca. Ndërkohë ajo shtoi se vijon vaksinimi për të moshuarit mbi moshën 80 vjeçare.

Manastirliu tha se në total janë vaksinuar rreth 800 të moshuar sëbashku me kujdestarët në Shtëpitë e të Moshuarve. Ndërkohë sa i përket stafeve mjekësore numri i të vaksinuarve arrin në mbi 13 mijë vaksinime./tvklan.al