Ishte shpallur në kërkim për vrasjen e babë e bir në Elbasan në 2012

Florenc Çapja është arrestuar në Dubai. Lajmi konfirmohet nga burime për Klan News, sipas së cilave Çapja mësohet se ka kërkuar azil politik në këtë vend. Gjithnjë sipas të njëjtave burimeve, 40-vjeçari mësohet se në kërkesën drejtuar autoriteteve në Dubai thotë se urdhërarresti për të është arbitrar. Shqipëria ka nisur procedurat e kërkesës për ekstradimin e Çapjes drejt vendit tonë, thonë më tej burimet për Klan News.

40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohet së bashku me disa persona të tjerë për vrasjen e ndodhur në vitin 2012 në Elbasan, ku mbetën viktimë Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri, babë e bir.

Florenc Çapja u shpall në kërkim në Mars të këtij viti, të njëjtën ditë kur polici njoftoi arrestimin e Ardian Çapja.

Gentian Beqiri dhe babai i tij Nezir Beqiri

Për të njëjtën ngjarje, më 11 Tetor të vitit të kaluar në Greqi u arrestua edhe Jorgo Leku. 41-vjeçari, i cili njihet edhe me tre identitete të tjera si Olsi Leka alias Giorgo Lekou alias Jorgo Lekou u vu në pranga nga Interpol Athina pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare si autor i dyshuar i vrasjes së Gentian Beqirit.

Gentian Beqiri u vra më 15 Gusht të 2012-ës në banesën e tij në Elbasan teksa qëndronte nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Ai ka qenë dënuar si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.

Në lidhje vrasjen e Beqirit është ekstraduar nga Italia vitin e kaluar Etien Cani. Ai ishte shpallur në kërkim si një nga autorët e vrasjes së dyfishtë. Beqiri ruhej nga efektivë të policisë, por autorët përdorën pikërisht Etien Canin për të hyrë brenda, pasi ai ishte shok fëmijërie me viktimën.

Për vrasjen e dyfishtë është arrestuar vitin e kaluar edhe 36-vjeçari Ervis Bardhi, që dyshohet se bashkëpunoi me Canin. Beqiri u qëllua me 4 plumba me një armë me silenciator teksa flinte gjumë në shtratin e tij, ndërsa i ati u dhuna barbarisht nga autorët ndërsa ndërroi jetë edhe për shkak të një infarkti. Beqiri ishte i paralizuar pasi në tentativë për t’i ikur policisë ai ishte hedhur nga një mur i lartë duke pësuar dëmtime të shtyllës kurrizore dhe prej 6 vitesh qëndronte në banesën e tij.

Sipas policisë kjo vrasje ishte në vazhdimësinë e një hasmërie të gjatë mes dy fiseve në Elbasan dhe që ka shkaktuar në vite disa të vrarë.

Mes viktimave është edhe vëllai i Gentian Beiqirit, Saimir Beqiri, i cili u vra orët e para të mëngjesit të 11 Prillit të 2016-s në Elbasan. Ai u gjet i pajetë në oborrin e një lokali në dalje të qytetit./tvklan.al