Prokuroria e Krimeve të Rënda ka një tjetër provë në dispozicioni për hetimin që po kryhen ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Grupi hetimor ka administruar informacionin e mbërritur nga Mali i Zi ku ishte dërguar një letër-porosi, mbi disa lëvizje që kishte kryer Tahiri në këtë vend. Në verën e vitit 2017 ish-ministri ka hyrë në Malin e Zi nga toka dhe më pas nga aty ka udhëtuar me një jaht drejt Italisë, në pronësi të një shtetasi shqiptar.

Bashkë më Tahirin kanë udhëtuar edhe disa persona të tjerë të cilët janë nën hetim në ketë dosje. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka afat deri në datën 17 Shtator për të hetuar ish-ministrin, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin e vëllezërve Habilaj. Sipas Prokurorisë ai u ka krijuar atyre lehtësira në mënyrë që të trafikonin kanabis drejt Italisë.

Prokuroria thotë se është akoma në pritje te disa informacioneve nga Italia dhe më pas do të vendosë nëse dosja do të dërgohet në gjykatë apo do kërkohet një zgjatje tjetër afatesh hetimore me 3 muaj.

Tv Klan