Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale kallëzimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit të bërë ndaj kompanisë ndërtuese të 4646 metrave katrorë ndërtim të konfiskuara një ditë më parë në qendër të Tiranës. Kallëzimi në fjalë i është dërguar prokurorisë së Tiranës në Korrik të këtij viti.

Sipas kryeministrit Rama këta ndërtues janë kapur tërë këto vite nga Policia e Shtetit, Tatimet, Doganat, apo IKMT-ja, por kanë shpëtuar falë të korruptuarve të drejtësisë.

Le ta lexojnë vetë se si kohë më parë, i është çuar prokurorisë së Tiranës, rasti i atyre 4 mijë e 646 metrave katrorë në qendër të Tiranës, të cilat dje i mori shteti për interes publik. Dhe ky nuk është i vetmi rast, po rasti që derdhi kupën e durimit me drejtësinë, në raport me parellinjtë e llojllojshëm, kapur me presh në duar tërë këto vite nga Policia e Shtetit, Tatimet e Doganat apo Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, por kthyer në burime të ardhurash për të korruptuarit e drejtësisë”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë thotë në postimin e tij se nuk ka ndërmend që të ndalet përballë kujtdo e çfarëdo beteje në interes të vendit.

“Por natyrisht, turpi s’është i miqve që shajnë e akuzojnë këtu, të cilët në rastin më të mirë janë votues të verbër të palëve të tjera dhe në më të keqin, qytetarë të mërzitur me politikën, që gabimisht më dinë edhe mua si politikanët e pafytyrë, që tjetër thonë, tjetër bëjnë.

Turpi është vetëm i urrejtësve profesionistë të politikës dhe medias, që me tërbimin e tyre të pangushëllueshëm, rrisin përditë sasinë e llumit të kanaleve e të portaleve, ku s’ka më vend për të vërtetën, faktet, argumentet. Ata e helmojnë papushim këdo i ndjek gabimisht me respekt dhe këdo që gabimisht i lexon për të marrë vesh të vërtetën.

I kanë bërë vetë ose do t’i bënin vetë po të kishin mundësi, të tëra zullumet e poshtërsitë për të cilat më akuzojnë mua! Prandaj edhe as e konceptojnë dot, që dikush mund ta udhëheqë këtë vend pa futur duart në xhepat e të tjerëve apo në arkën e shtetit; jo më të kenë pastaj edukatën elementare demokratike, që të mos ta akuzojnë tjetrin pa prova, për akte e vepra penale.

Unë natyrisht nuk jam i rënë nga qielli, po duan s’duan ata që s’duan, s’e kam bërë kurrë nën këtë qiell asnjë nga aktet a veprat në fjalë dhe prandaj as jam ndalue ndonjëherë, as kam ndërmend të ndalem deri në fund, përballë kujtdo e çfarëdo beteje në interes të këtij vendi”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shkruan se për këtë çështje do të flasë sërish nesër, teksa më herët lajmëroi që në orën 09:00 të shtunën do të bëjë një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale./tvklan.al