Bllokohen 5 prona dhe 4710 m2 tokë në Elbasan e Pogradec

5 pasuri dhe 4710 m2 sipërfaqe toke, në pronësi të Florenc Çapjes dhe familjarëve të tij janë konfiskuar nga policia me vendim të Gjykatës së Posaçme.

Këto pasuri në emër të 42-vjeçarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Nezir e Gentian Beqirit në 2012, ndodhen në qytetin e Elbasanit dhe atë të Pogradecit.

Konfiskimi i pronave të Florenc Çapjes dhe familjarëve të tij u bë pas hetimeve të thelluara të operacionit të koduar ‘Golden Bullet’ i finalizuar në maj të 2022 pas rrëfimeve të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Pasuritë e konfiskuara tashmë i kanë kaluar Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, me vendim të Gjykatës së Posaçme prej datës 9 dhjetor.

Prej disa vitesh Florenc Çapja është shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për vrasjen e dyfishtë të 2012. Fillimisht çështja ndaj tij u hap nga prokuroria e Elbasanit, për t’i kaluar më pas SPAK, ku dosja në ngarkim është në fazë gjykimi.

Sipas Prokurorisë së Posaçme 42-vjeçari, së bashku me xhaxhin e tij Ardjan Çapja, i arrestuar më parë se janë porositësit e vrasjes së Nezir e Gentian Beqirit në 2012, fakt ky që u dëshmua dhe nga i penduari i drejtësisë, Ervis Bardhi.

Tv Klan