Policia parandaloi përshkallëzimin e situatës

Policia e Lushnjes ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikiti mes tre adoleshentëve. Uniformat blu morën informacion se në fshatin Dushk kishte ndodhur një konflikt fizik mes tre adoleshentëve.

Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia dhe ka konstatuar se midis 16 vjeçarit me iniciale A.M., dhe shtetasve E.N., 14 vjeç dhe F.R., 14 vjeç, kishte ndodhur një konflikt për motive të dobëta.

Gjatë konfliktit shtetasit E.N dhe F.R në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin qëlluar me mjete të forta shtetasin A.M. Policia ka shoqëruar në komisariat 3 adoleshentët si dhe ushtroi kontroll në banesat e tyre.

Si rezultat i kontrollit, në banesën e 16-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri automatik me një krehër dhe 9 fishekë. Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, arrestuan 16-vjeçarin banues në Lushnjë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” në ngarkim të shtetasit A.M dhe “Plagosja e lehtë me dashje” në ngarkim të shtetasve E.N dhe F.R./tvklan.al