Ministrat e Jashtëm mund të takohen në Tiranë

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, fton homologun grek Nikos Dendias të takohen në Tiranë për të nisur dialogun për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për zonat ekskluzive ekonomike në Mesdheun Lindor. Gjatë një konference për shtyp zhvilluar këtë të hënë në Ankara, Çavushollu tregoi se ofertën për një takim në Tiranë ia kishte bërë Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës javën e kaluar në Turqi.

“Kryeministri i Shqipërisë, i nderuari Edi Rama ndërmori nismën për të na mbledhur në Tiranë mua dhe Dendias-in. Dua t’i bëj një ftesë të hapur Greqisë, që brenda Janarit të nisim bisedimet. Ne si vend pritës, së bashku me delegacionet, do të caktojmë datën. Dhe pas takimit të nivelit teknik, me ftesë të Edi Ramës, do të shkoj përsëri në Tiranë ku jam i gatshëm të takohem aty me Dendias-in. Kjo është një ftesë e hapur”.

Nuk ka vonuar reagimi i Ministrisë së Jashtme greke përmes një komunikate për shtyp, ku thuhet se deri më tani, nga Ankaraja nuk i ka ardhur asnjë ftesë zyrtare për raundin e 61-të të bisedimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Athina shprehet e gatshme për ta pranuar një ftesë nga pala turke, por thekson se zgjidha duhet të arrihet në bazë të ligjit ndërkombëtar për përcaktimin e kufijve të zonave ekskluzive ekonomike dhe shefit kontinental.

I pyetur për rinisjen e bisedimeve me Greqinë gjatë një vizite në Portugali, kryeministri Kiriakos Mitsotakis tha se mjaft u luajt si burra të mirë dhe të ulen në dialog duke theksuar se 2021 mund të jetë një vit i mirë për marrëdhëniet greko turke në Egje. Mitsotakis tha se Athina pret ende ftesën zyrtare për rinisjen e bisedimeve dhe se çështja e vetme është përcaktimi i kufijve në Egje.

Ftesa turke vjen teksa në parlamentin grek ka mbërritur drafti i qeverisë për zgjerimin e hapësirës territoriale detare në 12 milje që do të shtrohet për miratim më 19 Janar.

Tv Klan