“Stop” tregoi me fakte dy raste abuzimi me pasojat e tërmetit të vitit të kaluar në Vorë. Rasti i parë me pallatin nr. 8 në lagjen “Demokracia”, që u shpall i dëmtuar edhe pse nuk ishte i tillë.

Ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me gllabërimin e 250 m2 truall ndaj biznesmenit Hamid Mema, edhe pse ky i fundit disponon të gjithë dokumentacionin.

Në gjithë këtë rrëmujë, posti i kryetarit të Bashkisë i kaloi biznesmenit Shefki Karamuça, pas dorëheqjeve të kryetarit Brahimaj dhe nënkryetares Laureta Omeri.

Shefki Karamuça ka qenë kryetar i Bashkisë Vorë në vitet 1999 deri në 2003-shin. Ai është larguar nga ky post nga votat e të majtës dhe për 16 vite Bashkia e Vorës është drejtuar nga PD-ja.

Në vitin 2015 ai shfaqet përsëri si këshilltar i LSI-së deri në vitin 2019. Befasisht më 25 Gusht të 2020, pas dorëheqjes së nënkryetares Vorë, Laureta Omeri, Karamuça merr postin e nënkryetarit.

Pas disa ditësh jep dorëheqjen edhe Hekuran Brahimaj dhe Karamuça vetëshpallet kryetar bashkie pa kaluar në Këshillin Bashkiak.

Kryetari i tretë brenda vitit i Vorës, Shefki Karamuça, sapo mori postin, nisi të ndërtojë objektin e tij privat ngjitur me Bashkinë dhe sipas informacioneve ky objekt është pa leje. Veç kësaj, stafi i firmës private të Karamuçës, është punësuar në Bashkinë e Vorës.

Përveç përfshirjes në politikë, Shefki Karamuça njihet edhe si ndërtues. Figuron që stafi i firmës ndërtuese private që ai ka në pronësi është punësuar në Bashkinë e Vorës. Ky staf është aq i veçuar saqë ka marrë zyra me qira në objektin privat ndërtuar nga Karamuça. Thuhet gjithashtu se zyra e re e Karamuçës është në godinën e tij. I bie që kryetari i Bashkisë së Vorës i jep me qira vetes së vet ambientet e godinës private që ai ndërtoi sapo u bë kryetar.

“Stop” shkoi në godinën në pronësi të Karamuçës, vetëm pak metra të godinës së transferuar të Bashkisë së Vorës. Vetëm pak kohë para se Karamuça të merrte pozicionin e kryetarit të Bashkisë, godina ishte e pandërtuar. /tvklan.al