Një ditë pas plagosjes së dyfishtë në një lokal në Selitë të Tiranës, policia ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë. Në pranga kanë rënë Florjan Musaj 25 vjeç dhe Gjon alias Valmend Pelivani 28 vjeç, të dy nga Tirana.

Dy të arrestuarit janë pikërisht personat e përfshirë direkt në konflikt. 25-vjeçari Florjan Musaj është pronari i lokalit në Selitë ku ndodhi konflikti me armë. Musaj dhe Pelivani qëlluan me armë ndaj njëri-tjetrit. Nga të shtënat mbeti i plagosur 28-vjeçari Gjon alias Valmend Pelivani dhe kamarieri i lokalit Renato Hoxha 31 vjeç. Ata akuzohen për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu, si të përfshirë në këtë ngjarje, janë shpallur në kërkim edhe 24-vjeçari me iniciale F.P. dhe 22-vjeçari me iniciale R.P., të dy të akuzuar për vrasje me dashje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Dy të plagosurit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Uniformat blu kanë sekuestruar një armë zjarri pistoletë me një kreher me dy fishekë.

Hetimet janë fokusuar në pistën e një konflikti të çastit, pasi Florjan Musaj dhe Valmend Pelivani ishin takuar pak momente përpara ngjarjes. Por, është duke e hetuar edhe një pistë e dytë, konflikti që lidhet me biznesin e lokalit, që është hapur rreth 1 javë më parë. I plagosuri Pelivani është një person me precedentë penale i njohur nga policia dhe si anëtar i një grupi të rrezikshëm kriminal. Në një rast ai është rrëmbyer në ambientet e një qendre tregtare, për çështje borxhesh. /

tvklan.al