Vrasja e Bujar Çelës, 37-vjeçari u zbulua nga paratë

Konflikti mes Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit ka sjellë dy të vrarë në aksin Elbasan-Rrogozhinë. Kjo është një nga pistat që po heton Prokuroria e Elbasanit, lidhur me vrasjen fillimisht të Klevis Kapllanit dhe më pas të Bujar Çelës.

Dumani dhe Talo Çela duket se kanë prishur miqësinë mes tyre, çka ka bërë që ky i fundit dyshohet se ka urdhëruar ekzekutimin e Klevis Kapllanit, shokut të ngushtë të Nuredin Dumanit, ngjarje që ndodhi më 15 Shtator të këtij viti.

Për hakmarrje, 37-vjeçari Dumani dyshohet se organizoi dhe bëri vrasjen e vëllait të Talos, Bujar Çelës, vetëm 2 ditë më pas në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, mëngjesin e 17 Shtatorit.

Burime nga grupi hetimor kanë treguar edhe formën si u zbardh vrasja e Bujar Çelës.

Nga hetimet rezulton se Nuredin Dumani ka shkuar pak minuta para vrasjes tek karburanti pranë lokalit ku qëndronte Bujar Çela. Aty ka hedhur naftë. Nga shenjat e gishtave të parave që bëri pagesën u zbulua se bëhej fjalë për Dumanin. Ndërkohë pak minuta më vonë, personi që hodhi naftë, me të njëjtën veshje, por me maskë në kokë, vrau Bujar Çelën.

Nuredin Dumani ndodhet në kërkim për këtë vrasje dhe deri më tani ai bashkë me Talo Çelën, i kanë shpëtuar disa operacioneve të forcave RENEA.

Tv Klan