Konflikti për banesën sjell në studio artisten e njohur: Hallin tim s’e ka njeri në botë



Konflikti për banesën sjell në studio artisten e njohur: Hallin tim s’e ka njeri në botë

18:38 13/09/2020

“Jam njeri i vetmuar, unë vetëm atë fëmijë kisha”

Seanca e ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në Gjyq”, në Tv Klan solli ditën e sotme një problematikë mjaft të madhe.

Në studio ishte një artiste, e cila me zërin dhe energjinë e saj ka bërë për vete zemrat e publikut. Bëhet fjalë për këngëtaren Burbuqe Rada, e cila ishte ftuar në këtë seancë ndërmjetësimi nga komshia e saj. Kjo është hera e dytë për Afërditën që vjen në seancë ndërmjetësimi, pasi ka qenë në vitin 2013 dhe për shkak se situata e saj ka gjetur zgjidhje atëherë, ajo iu drejtua sërish programit.

Konfilkti midis tyre lidhet me banesën e zonjës Rada. Ajo kishte vendosur ta shiste dhe atë do ta blinte Afërdita, madje ajo pretendon se i dha edhe një kapar, në mënyrë që askush tjetër mos e blinte shtëpinë.

Por gjërat nuk shkuan ashtu si u bë marrëveshja, pasi në muajin Qershor të këtij viti, Rada humb djalin e saj të vetëm. Dhimbja për të është e madhe dhe gjatë gjithë emisionit, ajo nuk ka mundur të mbajë dot lotët dhe u shpreh se nuk do donte kurrsesi që t’i shkaktonte asaj këtë ngatërresë, por pas vdekjes së djalit, ish-bashkëshorti i saj është duke kërkuar pjesë tek ajo shtëpi.

Afërdita: Pjesëmarja ime që jam për herë të dytë këtu, është falë një mirëbesimi që kam krijuar dhe një respekti të veçantë për ju. Hallin e madh të parin që pata u zgjidh me sukses, prandaj e pashë të arsyeshme që të thërras edhe zonjën Burbuqe Rada, që është një artiste dhe këtë e dinë të gjithë, eshtë edhe një grua zonjë që unë e njoh, e kam komshie, por halli im i madh më detyroi ta thërras këtu. Duke e ditur çfarë pozicioni është dhe çfarë halli i madh i ka rënë, unë kam një arsye që u drejtova drejt seancës tuaj. Kam punuar një jetë të tërë me djersë, kam rritur 4 fëmijë, mezi mblodha dy lekë që të blej një shtëpi, të jetoj dhe unë si gjithë të tjerët. Meqënëse zonja që kam përballë kishte për të shitur shtëpi, duke e njohur se e kisha komshie, kisha dëgjuar plot fjalë të mira edhe si artiste e njoh sepse edhe vetë jam marrë me këto aktivitete. Mora vesh që do shiste shtëpinë dhe vajta bëra muhabet, ramë në ujdi që shtëpinë të ma shiste mua. Ramë në marrëveshje dhe meqë kam një respekt të veçantë i dhashë dhe një farë kapari, që shtëpinë mos ia shiste tjetërkujt, po të ma shiste mua.

Eni Çobani: Keni ndonjë dokument për dhënien e kaparit?

Afërdita: Kjo është fatkeqësia ime, që unë nuk mora noter, për arsyet e mia.

Burbuqe Rada: Zonjë!

Afërdita: Më fal të flas unë dhe do të marrësh të drejtën të flasësh.

Burbuqe Rada: Të lutem, unë e di ku do dalësh, do ta shpjegoj tani pse unë nuk jam treguar korrekte me ty.

Afërdita: Më lër të mbaroj njëherë, të shpjegohem. Duke bërë gabimin më të madh që unë nuk mora një noter, që ta nënshkruaj këtë kapar që i dhashë atëherë. Në muajin Qershor, i ndodh fatkeqësia, i vdes djali i vetëm dhe unë e kam përjetuar se jemi nëna vetë dhe e dimë çdo të thotë humbja e dritës së syrit. Megjithatë kam sot një muaj, e dy po venë që unë pres të më hapë telefonin. Ajo vërtet ka hallin e madh dhe unë e kuptoj shumë mirë, por dhe unë dua një përgjigje se kam dhënë atë kapar dhe jam bërë hasëm me fëmijët e mi, se më kanë mbyllur telefonin dhe më thonë ku i çove paratë që i more, ku i ke letrën që bëre kontratën. Po më shkatërrohet familja, me vërtetë ka hall, por dhe unë kam hallin tim. Prandaj e solla deri këtu, me gjithë hallet që ka, se nuk më hap telefonin.

Burbuqe Rada: O zonjë mos më hap më shumë plagën, të shpjegoj unë.

Afërdita: Jo nuk dua të hap më shumë plagën, ti mund të kesh hall, por dhe unë kam hallin tim. Unë desha të më japë një afat, një datë që të di çfarë t’iu them unë fëmijëve të mi, si të shpjegohem.

Eni Çobani:  Ja të dëgjojmë pse ka ndodhur kjo dhe arsyeja pse zonja nuk iu përgjigjet më.

Burbuqe Rada:  Unë jam një person që nuk i kam rënë asnjeriu në hak. Arsyeja që nuk u realizua ajo është se unë u martova me një njeri të papërgjegjshëm. Në ’86  linda fëmijën, në ’87 u ndamë. Morëm një shtëpi padrejtësisht, që mos zija shtëpinë tek babai. Ai mori se kishte babin e vet sekretar partie, mori një shtëpi padrejtësisht në Allias, ku donte të më bënte kurthe. E ndava, atë shtëpi të shtetit jo të tijën e fitova unë me gjyq, me djalin tim. Pastaj më vonë atë shtëpi e shita se u bashkova me familjen, doja të ushqehesha. Unë qaja në shtëpi, se nuk kisha shtëpi dhe babai më bën një testament.

Afërdita: Moj zonjë e nderuar, t’i mund të kesh 1 milion halle dhe unë të kuptoj, por të dish ti hallet e mia e mbulojnë atë tëndin.

Ardit Gjebrea: Të lutem ta dëgjojmë!

Burbuqe Rada: Jo, të lutem. Hallin tim se ka njeri në botë, unë jam njeri i vetmuar, unë vetëm atë fëmijë kisha. Nuk kam as nënë, as baba, as motër, as vëlla, as fëmijë. E di si më quajnë mua kushërirat e mia nëpër Facebook, qyqja. Kam vetëm një grua që vjen rri me mua, më bën shoqëri dhe më  mbledh mendtë e kokës. Si nisa të them, atë shtëpi deshëm ta shisnim përpara se të shkonte djali në atë dynja, sepse e fejova, do bëhesha një gjyshe. Blemë këtë shtëpi nga trashëgimia e babit tim, çunin e vura në tapi se desha që ai të ndihej i plotësuar. Në kohën që mua më ndërron jetë fëmija, nuk kisha problemin e shtëpisë. Ai i kishte thënë shokëve të çunit tim që s’kam pretendime tek kjo pronë. Unë prita të bëja të 40-at e çunit, pastaj të rregulloj këto pjesë. Por gjërat ndryshuan, ai e mohoi këtë gjë dhe kërkon pjesë tek pjesa e çunit tim./tvklan.al




Të ngjashme