Sot në rubrikën “Shihemi në gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan u përballen tre vëllezër. Në seancën e ndërmjetësimit Ilir, Bujar dhe Ramadan Sulati diskutuan për ndarjen e padrejtë të tokës mes vëllezërve. Vëllai i madh Bujari ka marrë si kryefamiljar 24.420 m2, ndërkohë vëllai i vogël Ramadani është pa tokë. Pas disa minutash debat ku nuk munguan tonet e larta mes tyre, duket se me ndërmjetësimin e juristes Eni Çobani vëllezërit vendosën që të bashkuar ta zgjidhin përmes rrugëve ligjore çështjen e pronës.

Eni Çobani: Sot kemi këtu tre vëllezër të shkëlqyer Ilir, Bujar dhe Ramadan Sulati, por që kanë ardhur veç e veç nga qyteti i Durrësit. Më ka takuar secili më vete me një qejfmbetje shumë të madhe. Problematika është e gjatë ndër vite dhe halli është i madh. Do doja që këtë fundvit të mos jemi shumë të ashpër.

Ilir Sulati: Në vitin 1991 janë ndarë pronat, unë kam qenë ushtar dhe nuk kam qenë prezent. Në këtë vit janë ndarë 3.800 metra tokë për frymë. Në atë kohë isha i martuar. Po të marrësh nga 3.800 metra për frymë i bie 7.600 metra. Ndërsa në aktin e marrjes së tokës në pronësi unë kam vetëm 6.200 metra. Nga hipoteka më del një tjetër akt dhe me shkrim dore janë shkruar edhe 4.220 metra të tjera.

Eni Çobani: Ju pretendoni që duhet të kishit 7.600 m2?

Ilir Sulati: Po, sepse kam dokumentin këtu që janë ndarë 3.800 metra për frymë dhe më mungojnë 1.400 m 2. Unë kam vetëm 6.200 metra dhe vëllai im ka 24.000 metra.

Eni Çobani: Bujari në ndryshim nga ju ka marrë 24.420 m2 dhe si trung familjar keni qenë vetëm 2 persona. Si është e mundur?

Bujar Sulati: Në 1991 babai im ka qenë gjallë dhe në ’92 vdiq. Komisioni këto toka mi ka lëshuar si kryetar i familjes, jo si dy pjesëtar.

Ilir Sulati: Pse ke nxjerrë vëllanë e vogël pa asnjë metër tokë, këtë dua të di unë.

Eni Çobani: Ky është një akt shumë i rëndë.

Bujar Sulati: Ju keni një dyshim sikur unë dua t’iu gënjej dhe t’iu marr pronat. Unë nuk dua t’iu marr pronat. Unë jam përplasur në bashki.

Ramadan Sulati: Pse nuk e rishikove ti që unë jam pa tokë. Sot nuk ma njeh njeri tokën. Kam qenë 11 vjeç atëherë dhe sot nuk e njoh të drejtën.

Bujar Sulati: Mua nuk më japin asnjë zgjidhje.

Ilir Sulati: Unë kam ardhur këtu se me vëllain s’po gjej zgjidhje, jemi gati duke u vrarë. Unë i kam lënë prokurë vëllait disa kohë më parë dhe nuk kam marrë asgjë. Nuk kam më besim.

Eni Çobani: Çudia ime është se ku ka qenë ky shtet gjithë këto vite që i ka çuar këta vëllezër deri këtu? Ky problem duhet çuar deri në fund. Nga ana tjetër prefektura është ajo që do ta çojë më tej këtë betejë juridike dhe të nxjerrë se e kujt është kjo pronë. Unë iu jap të drejtë shqiptarëve sepse këto janë detyra dhe përgjegjësi të shtetit, jo të qytetarëve. Janë dokumente që i prodhon shteti dhe njerëzit janë bërë pjesë ndoshta edhe pa dashje. Në këtë rast prefekti i Durrësit duhet të fillojë një proces gjyqësor dhe familja e zotit Mersin duhet të bëhet palë në këtë proces. Bujarit do t’i jepet pjesa që i takon dhe pjesa tjetër e pronës do t’i kalojë Mersin Sulatit. Kjo është zgjidhja më e mirë që mund të merrni, përndryshe nëse e lini në këtë konfuzitet edhe prona do t’iu humbasë edhe konflikti do të shtohet. Unë iu premtoj publikisht që do të më keni në krah dhe prona do të ndahet për frymë sipas kohës dhe ligjit 7501. I kërkojmë ndjesë Bujarit se i folëm pak rëndë, por edhe ti ke gabim, duhej të ishe kujtuar më parë. Jemi pak vonë, por më mirë vonë se kurrë.

Ilir Sulati: Unë Bujarin do ta shikoj me sy kur të marrë tokën vëllai. Se ai është fajtor kryesor sepse ka qenë prezent kur është ndarë toka.

Bujar Sulati: Unë dua të them vetëm kaq, që si Iliri, si Ramadani pronat do t’i marrin. S’kam përse t’i marr pronat vëllezërve të mi.

Eni Çobani: Meqë Bujari nuk kërkoi ndjesë, atëherë dua të kërkoj ndjesë ndaj të gjithë shqiptarëve, për tonet e larta. Ndoshta edhe për ndonjë fjalë të tepërt, por dua t’iu them edhe faleminderit sepse më keni dhënë një titull të madh “Zonja Eni” dhe unë do t’iu mbështes. Ju lutem besoni në Shqipërinë që ne jetojmë.

/tvklan.al