Në rubrikën “Shihemi në gjyq” në emisionin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, u trajtua konflikti mes dy banorëve të fshatit Domgjon të Mirditës, ku prej 15 vitesh ishte parashikuar të ndërtohej ujësjellësi i fshatit, dhe ende sot e kësaj dite shtëpitë nuk kanë ujë në çezma.

Z.Nikoll kishte marrë përsipër fillimisht të niste projektin dhe më pas u lidh me strukturat vendore për të kërkuar fonde nga Ministria e Bujqësisë, të cilat u alokuan. Në fillim të projektit, të cilin e nisi me shpenzime personale, i kërkoi borxh z.Aleksandër (banor i fshatit) 2 milionë Lekë të vjetra që do t’ia kthente pasi të bëheshin aktive fondet shtetërore. Mirëpo, këtë borxh nuk ia ka kthyer edhe sot e kësaj dite, sepse ai thotë që nuk ka marrë asnjë Lekë nga fondet e shtetit dhe paratë janë vjedhur nga drejtuesit e pushtetit vendor të zonës.

Projekti për ujësjellësin, i parashikuar të ndërtohej në periudhën 2001-2003, u la në mes dhe pas 15 vitesh fshati nuk ka ende ujë.  Z.Nikoll thotë se objekti u dorëzua me dokumente false dhe për këtë arsye nuk është i përfunduar. Ai drejton gishtin ndaj kreut të Bordit të Kullimit në Lezhë, dhe pretendon se ky drejtor ka refuzuar që t’i jepte fondet e alokuara nga Ministria e Bujqësisë në atë kohë. Z.Nikoll akuzon drejtorin e Bordit të Kullimit se e ka mashtuar dhe ka vjedhur fondet publike për ndërtimin e ujësjellësit. Pas refuzimit nga ana e drejtorit, z.Nikoll tregon edhe se e kërcënoi për t’i dhënë paratë, gjë për të cilën juristja Eni Çobani tha se kjo përbën vepër penale dhe nuk duhet ta kishte bërë.

Aleksandri: Në pranverën e vitit 2003 më vjen z.Nikoll te shtëpia dhe më kërkon ndihmë financiare një shumë për mua e konsiderueshme. Sepse unë jam me probleme shëndetësore, jam me astmë bronkiale të formës së rëndë, fëmijët i kam të vegjël, dhe duke qenë se e kam bashkëfshatar ndërhyra dhe te njerëzit e mi dhe ja gjeta një shumë prej 2 milionë Lekë të vjetra. Edhe kur do mi sjellësh? Sa të më japi Lekët firma kontraktuese. Me 5 familje në Domgjon ke privatizuar tokën publike. Z.Nikoll më ka marrë mua 2 milionë Lekë për të furnizuar gjithë fshatin me ujë, dhe jo të privatizojë 5 familje. Deri sa ka dhënë shteti Lekë, të gjithë banorët duhet të marrin ujë.

Nikolla: Unë kam marrë shumë borxhe, gjithmonë se do të vijnë Lekët e shtetit. Por nuk po vijnë lekë. Nga 140 milionë Lekë, dy fonde që kanë ardhur, kam marrë 27 milionë Lekë të vjetra nga firma zbatuese. Ato janë punime që rrallë i bën kush, edhe nuk bëhen fare.

Aleksandri: Z.Nikoll, cilët janë personat e autorizuar që kanë marrë objektin në dorëzim si fakt i kryer? Me prezencën e kujt kanë marrë firmën? Dhe pyetja e dytë, kush fshihet pas këtij skenari?

Nikoll: Ata që kanë mbushur xhepat fshihen. Është miratuar në vitin 2001, 140 milionë Lekë të vjetra për fazë të parë. Dhe faza e dytë ka pasur më tepër. Ky objekt kryhet me dy faza. Por, këta nuk e dinë se si bëhet. Objekti nuk dorëzohet pa e marrë kush në dorëzim. Natyrisht që ajo vula e kryeplakut duhet të jetë letra. Edhe vula e kryetarit të komunës është letra. Është bërë me dokumente të rreme. Mua ma kanë shprehur shqip, shkurt dhe saktë drejtori i Bordit të Kullimit në Lezhë, ‘unë tha do ti marr’. Ti i merr? Po tha, do t’i marr! Si i merr ore? Do t’i marr e s’pyes për këtë punë. Shkoj në dyqan të marr një coca-cola benzinë, për shpejt të marr dhe një çakmak t’i vija zjarrin. Edhe i thashë, do t’i gjesh të gjitha lekët sa ke.

Eni Çobani: Kujt i the?

Nikolla: Drejtorit!

Eni Çobani: Pra, e ke kërcënuar.

Nikolla: Drejtori s’më dha Lekë. Çfarë kërcënimi është ky, u tall me mua. Ky e ka marrë në dorëzim objektin. Ai më sollorati mua.

Eni Çobani: Fakti që ju keni ndërmarrë një veprim të tillë është vepër penale. Kush jemi ne që dënojmë njerëzit kot me fjalë? Drejtojuni organeve kompetente.

Nikolla: Janë bërë 6 padi.

Aleksandri: Unë i kërkoj borxhin tim z.Nikoll të më japë paret e mia, të mi kthejë.

Nikolla: Asnjë Lekë s’ke pa i dhënë shteti.

Aleksandri: Nëse nuk vepron ligji, ne do ta zgjidhim ndoshta me Kanun. Dua paratë e mia. Plus që uji është pronë publike, e administrojnë 5 familje.

Eni Çobani: Paratë ja ke marrë zotërisë borxh? 2 milionë Lekë të vjetra?

Nikolla: Kur të më japë shteti likujdimet atëherë do ja jap.

Eni Çobani: Lekët ja ke marrë, kur do t’i kthesh paratë zotëri?

Nikolla: Kur t’i japi shteti, do t’ia kthej unë. Kam humbur të miat, kam humbur të shokëve, janë humbur të këtij.

Ardit Gjebrea: Kur i more ato 2 milionë Lekë Aleksandrit, i the kur do t’ia kthesh?

Nikolla: I kam thënë, në momentin që vijnë Lekët e punimit, ke Lekët në dorë.

Aleksandri: Ai më ka thënë Lekët vijnë brenda vitit, por jo 15 vjet. I thashë brenda 1 vit afati, maksimumi. Për 1 vit e pres.

Nikolla: Nuk janë marrë Lekët fare.

Eni Çobani: Deri tani nuk e kam kuptuar implikimin e z.Nikoll me fondet shtetërore, ndërkohë që nuk kishte asnjë pozicion shtetëror por ishte thjesht një specialist, por që normalisht nuk ka pasur pozicion shtetëror. Të ka emëruar njeri nga organet e qeverisjes vendore që ndoqe këto punime? Ke ndonjë dokument? Duhet të kesh autorizim. Me ç’të drejtë ke bërë punime, të marrësh dhe Lekët e bashkëfshatarëve dhe të fillosh gërmimet? Pse i fillove, se këtë nuk e kuptoj? Këtu ka pasur dy firma kontraktuese që kanë marrë paratë e shtetit. Ju pse jeni ngatërruar në këtë histori?

Nikolla: Kam hyrë privatisht me mendim se do t’i dal punimeve në ballë. Firma në la në rrugë mua.

Eni Çobani: Z.Aleksandër, ti e kërkon këtë 2 milionësh?

Aleksandër: Po si nuk e kërkoj.

Eni Çobani: Ta ulim këtë zotërinë dhe t’i bëjmë një deklaratë noteriale dhe t’i lëmë një afat, apo do të presim zgjidhjen e përbashkët përsa i përket këtij fondi?

Aleksandër: Unë pranoj ofertën tuaj.

Publiku votoi bindshëm në favor të z.Aleksandër, i cili kërkon borxhin e tij prej 2 milionë Lekësh të vjetra nga z.Nikoll. Ky i fundit thotë se do ta kthejë këtë borxh, por kur të marrë fondet nga shtetit. Ndërkohë, Eni Çobani u angazhua se do të shkojë në Prokurorinë e Lezhës për të marrë vendimin e hetimeve për çështjen e Ujësjellësit të fshatit Domgjon, si dhe do të interesohet se çfarë ka ndodhur me fondet për ndërtimin e kësaj vepre publike, që nuk është përfunduar. Kurse z.Nikoll dhe z.Aleksandër firmosën një kontratë noteriale për kthimin e borxhit prej 2 milionë Lekësh të vjetra, duke përfunduar me sukses edhe këtë seancë ndërmjetësimi në rubrikën “Shihemi në gjyq” në emisionin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

/tvklan.al