Aleatet do të koordinojnë veprimet në kulmin e tensioneve mes Moskës dhe Kievit

Në ditët e fundit NATO ka ngritur shqetësime në lidhje me lëvizjet masive te trupave ushtarake ruse përgjatë kufirit lindor të Ukrainës.

Sekretari Amerikan i Shtetit Blinken, pas takimit me homologun italian u nis për në Bruksel në udhëtimin e dytë diplomatik brenda disa javësh për t’u konsultuar me aleatët evropianë dhe të NATO-s në lidhje me tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës të cilat kanë çuar në grumbullimin e 40 mijë trupave ruse në kufi. Një element i tensioneve midis Moskës dhe Kievit është mundësia që Ukraina të bashkohet me NATO-n.

Ukraina akuzon Kremlinin, se nuk përfilli një kërkesë për bisedime midis presidentëve të dy vendeve Putin e Zelensky rreth grumbullimit të trupave ruse pranë kufirit, por Moska tha se ushtarët e saj janë në territorin e tyre.

Kievi dhe Moska fajësojnë njëra-tjetrin për përkeqësimin e situatës në rajonin lindor të Donbasit, ku trupat ukrainase luftojnë me forcat e mbështetura nga Rusia në një konflikt, që sipas Kievit, ka vrarë 14,000 njerëz që nga 2014.

Klan News