Kritika të ashpra në Kongresin amerikan ndaj qeverisë Kurti. Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara me të dërguarin e posaçëm Gabriel Escobar u dënuan “veprimet e pakoordinuara” të qeverisë Kurti për të dërguar kryetarët shqiptarë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës me forcën e policisë.

Kritikat erdhën që në hapje së seancës nga ligjvënësi republikan Thomas Kean, kryesues i Komitetit.

“Veprimet e pakoordinuara të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke përdorur forcat policore për të vendosur kryebashkiakët lokalë në zyra, ishin të pakujdesshme dhe destabilizuese. Dua të shtoj se dhuna e protestuesve serbë që pasoi nuk është dënuar mjaftueshëm nga administrata Biden. Duhet të dënohet siç duhet çdo rol direkt apo indirekt që ka luajtur Beogradi për t’i organizuar dhe për t’i armatosur ata protestues”, tha Kean.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i raporti Kongresit se ka marrë zotime nga Serbia se nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës, ndërsa paralajmëroi pasoja nëse vepron ndryshe.

Escobar ka thënë se shpreson për një përparim të rëndësishëm këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë detyrimin për formim të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”, tha Escobar.

Escobar ka thënë se si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe se të dyja janë partnere solide në inkurajimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Tv Klan