Kongresi i PS | Edi Rama: Në mandatin e III fokusi kryesor tek kapitali njerëzor dhe teknologjik i Shqipërisë, revolucion në administratë!




Kongresi i PS | Edi Rama: Në mandatin e III fokusi kryesor tek kapitali njerëzor dhe teknologjik i Shqipërisë, revolucion në administratë!

17:46 12/06/2021

Socialistët mblodhën Kongresin e jashtëzakonshëm në 30-vjetorin e themelimit të partisë. Forumi më i lartë drejtues i Partisë Socialiste u mbajt në stadiumin “Air Albania” dhe ishte konceptuar si një festë përvjetori, pas mandatit të tretë fitues në zgjedhje  të Partisë Socialiste. Por në këtë kongres pati edhe surpriza, mes të cilave tërheqja e Gramoz Ruçit pas 30 viteve pozicione drejtuese në Partinë Socialiste.

Ruçi deklaroi se do të lerë mandatin e deputetit në datën 9 Shtator dhe do të tërhiqet nga pozicionet partiake, duke e lënë të paqartë nëse kjo tërheqje do të jetë nga jeta aktive politike apo ai do të mund të mbajë funksione të tjera shtetërore në të ardhmen.

Punimet e Kongresit nisën me himnin kombëtar, për të vijuar me një dokumentar të rrugëtimit në tre dekada të Partisë Socialiste që prej themelimit të saj.

Nuk munguan figura me peshë, kontribuues e deri tek themelues të PS-së. Një mesazh drejtoi edhe lideri historik i socialistëve, Fatos Nano, i cili krahas urimit për ditëlindjen e partisë përgëzoi të gjithë socialistët dhe kryeministrin Rama për mandatin e tretë qeverisës. Vetë Rama në fjalën e tij ka falenderuar Fatos Nanon, të cilin e quajti “babai i tij” politik që e vrau dhe e rigjeti sërish, ka falenderur Gramoz Ruçin për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa ka folur për projektet e qeverisjes socialiste në 4 vitet e ardhshme.

Rama: Çfarë na intereson ne se di apo s’di PD, si e qysh ta lidhë kalin edhe në portën e DASH

Misioni i Partisë Socialiste për Kryeministrin Edi Rama në 4 vitet e ardhshme do të jetë për ta çuar Shqipërinë përpara “për t’u kthyer shqiptarëve borxhin e madh të mandatit të tretë”. Në fjalën e mbajtur gjatë Kongresit të jashtëzakonshëm të PS, Rama u ndal edhe tek opozita dhe shpallja e Berishës non grata nga DASH.

“Duhet t’iu ikim sherreve, t’u shmangemi konflikteve, fushata ka mbaruar, PS ka fituar. Duke fituar Shqipëria, PS të fitojë përsëri e përsëri. Ç’na duhet ne se çfarë bën PD? Ç’punë kemi ne si i bën zgjedhjet brenda saj, sesi kremton fitoren e zgjedhjeve të lira, pa u numëruar votat dhe pastaj nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të vjedhura, pasi votat u numëruan…. Çfarë na intereson ne se di apo s’di PD si e qysh ta lidhë kalin edhe në portën e Departamentit të Shtetit që të hingëllijë kali kundër narkoshtetit edhe në sallën e gjykatës së Parisit, që kali të dëshmojë kundër Departamentit të Shtetit… ç’punë kemi ne? Çfarë të mbjellësh do të korrësh thotë populli…

Dorën e bashkëpunimit ia shtriu sërish Partisë Demokratike.

“Me PD do të debatojmë sa të mundemi kur të mundemi për politikat që i duhen vendit. Ndërsa me atë politikën që i ka ezuaruar nervat vendit, do të mbajmë në distancë higjienike…. Ne kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit në interes të të gjithë shqiptarëve”.

Rama prezanton Këshillimin Kombëtar: Dua që populli të dëgjohet të paktën një herë në vit

Në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste që po mbahet këtë të shtunë në stadiumin “Air Albania”, Kryeministri Edi Rama preku disa prej çështjeve kryesore të programit të qeverisë gjatë mandatit të tretë. Rama prezantoi institucionin e ri, të quajtur Këshillimi Kombëtar, ku qytetarët siç tha kryeministri do të kenë mundësi të dëgjohen.

“Do prek disa çështje madhore të mandatit të tretë që do t’i dëgjoni shumë shpesh në vijim dhe që lidhen me qasjen tonë politike. Fitorja e mandatit të tretë në raport me rivalët tanë, është një fitore që i përket historisë së PS dhe zgjedhjeve politike në Shqipëri. Ne sot dhe në vijim na përket vetëm detyrimi i jashtëzakonshëm ndaj vendit, njerëzve, fëmijëve, etj. Mandatin e 3 do ta çojmë përpara që nga komunikimi publik, me rivalët politikë, por duke mos e harruar për asnjë çast, marrëdhëniet me publikun. Dua që mandati i tretë të shënojë një hapje të re ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, duke i përfshirë ata në vendimmarrje përmes një institucioni të ri kombëtar, Këshillimi Kombëtar. Dua që populli të mos dëgjohet vetëm një herë në 4 vjet, por të dëgjohet të paktën një herë në vit.

Këshillimi do të jetë një institucion këshillimi me shkrim. Të gjithë ata që duan të përfshihen të thonë me shkrim, po ose jo për çka ne shtrojmë si alternativa të mundshme. Ne do të përgatitemi që këtë vjeshtë të zhvillojmë këshillimin e parë kombëtar”.

Rama: PS nuk do jetë mbulesë për askënd që drejtësia e re do kërkojë hesapë

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se flamuri i PS nuk do të bëhet mbulesë për asnjë zyrtar, qoftë ai ministër apo drejtor, nëse drejtësia e re do kërkojë hesapë. Në fjalën e mbajtur në Kongresin e jashtëzakonshëm, kreu i qeverisë u shpreh se partia që ai drejton mbështet reformën në drejtësi dhe këtë zotim do ta çojë deri në fund. Fokusi në mandatin e tretë qeverisës Rama tha se do të jetë tek kapitali njerëzor shqiptar dhe inovacioni i teknologjisë.

“Të ndryshojmë rrënjësisht mënyrën e punës në administratë. Të çlirojmë sektorin publik. Të zhdukim arrogantët, parazitët dhe injorantët, që futën në zyra me garanci interesash. Të mos hamë shtetin pas shpine. Flamuri i PS nuk mund dhe nuk do të bëhet dot mbulesë për asnjë ministër, deputet, drejtor, shef, nëse drejtësia e re do kërkojë hesap prej tij apo prej saj. E kemi parë që na është dashur të ndeshemi me këtë sfidë. Partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel në dërrasën e kalbur të paligjshmërisë, por mban përgjegjësi, për sesi reagon ndaj kujt shpallet nga drejtësia si i kërkuar për shkelje. Reagimi ynë do të jetë edhe më i qartë dhe më i prerë: Ik sqarohu përpara drejtësisë me avokatin tënde, sepse PS nuk është zyrë avokatie  e asnjërit prej ne, por është mbështetësja, garantja e reformës në drejtësi. PS mbështet reformën në drejtësi dhe këtë zotim do e çojmë deri në fund. Të fokusohemi tek kapitali njerëzor shqiptar dhe inovacioni i teknologjisë. Ne duam të forcojmë shtetin ligjor. Kam parasysh tamin dhe tam tamin e përditshëm, që e ka bërë politikën një dallavere për shqiptarët”.

Rama: Mandatin e tretë, revolucion në administratë

Mandatin e 3 qeverisës Rama paralajmëroi për një administratë të çliruar nga punësimet jashtë kritereve të konkurrencës e meritës. “Unë s’kam asnjë motiv më të madh, për të dhënë edhe më shumë se sa ky, i çlirimit të ministrive, institucioneve, agjencive, departamenteve, bordeve, nga tentakulat e interesave që mbrohen në emër të partisë e elektoratit, por gërryejnë shtetin dhe pengojnë vetë misionin e PS”.

“Të marrë vulë ligjore, detyruese për qeverinë dhe institucionet të cilat çdo qytetar që nuk merr përgjigje në kohë e cilësi, të ketë forcën të kërkojë përgjegjësi ligjore të drejtpërdrejtë. Një shumicë që nuk i përgjigjet me kohë e cilësi çdo qytetari, nuk e çon dot këtë vend në atë nivel ku Shqipëria kërkon të jetë, mund të jetë, dhe do të jetë. Ta ndajmë mendjen, po e dëshirojmë Shqipërinë në majën ku shqiptarët na zgjodhën për herë të tretë, ta shpëtojmë këtë vend nga punësimet në shtet jashtë kritereve të konkurrencës e meritës. Ju takon të gjithëve këtu. Unë s’kam asnjë motiv më të madh, për të dhënë edhe më shumë se sa ky, i çlirimit të ministrive, institucioneve, agjencive, departamenteve, bordeve, nga tentakulat e interesave që mbrohen në emër të partisë e elektoratit, por gërryejnë shtetin dhe pengojnë vetë misionin e PS. Faleminderit për duartrokitjet por më shumë dua të bindem gjatë rrugës se kjo për ju është vijë ndarëse, mes  të qenit socialist apo tradhtar i PS. Hapa që keni hedhur me rekrutimet e mësuesve, policëve, shërbimin civil janë domethënëse shumë krahasur nga sa e nisëm. Por pamjaftueshëm nga maja. Do të shtyjmë shumë më fort, përpara duke mbështetur pa rezervë çlirimin e mëtejshëm të sektorit publik nga parazitë, arrogantë injorantë me interesa politike, të falura në emër të PS gjithmonë”.

Gramoz Ruçi jep dorëheqjen nga të gjitha funksionet në PS

Një prej figurave më të rëndësishme, pjesë e Partisë Socialiste që prej krijimit të saj, Gramoz Ruçi, në Kongresin e jashtëzakonshëm që po mbahet këtë të shtunë njoftoi se me nisjen e legjislaturës së re në Shtator, nuk do të jetë më pjesë e kësaj force politike.

“Gjatë këtij mandati që po përfundojmë me mua ka bashkëjetuar një pyetje: Kur dhe ku unë Gramoz Ruçi do deklaroj fundin e kësaj maratone time politike, pasi çdo politikë, ka startin e nisjes ka dhe finishin e mbërritjes. Prandaj miqtë e mi, unë kam zgjedhur sot, se s’ka më mirë sesa 30 vjetori i Partisë Socialiste të Shqipërisë, s’ka më mirë se sot, që ne kemi fituar mandatin e tretë të qeverisjes, s’ka më mirë se pas disa muajsh unë kam edhe një përvjetor tjetër personal, 70 vjetorin e ditëlindjes time… që të deklaroj këtu para jush, se në 9 Shtator, që fillon legjislatura e re, nuk do të ushtroj më mandatin që më ka dhënë PS dhe socialistët shqiptarë të qarkut të Fierit dhe se nuk do të kem ambicien për të qenë në asnjë organ të zgjedhur ekzekutiv të familjes time politike që më ka dhënë kaq shumë në këto 30 vjet”, tha mes të tjerash Ruçi.

Dy fjalë për Gramoz Ruçin i kishte edhe Kryeministri Edi Rama.

Gramozi më tregoi vendimin e tij për t’u tërhqur nga politika aktive pas 30 vitesh në shërbim të PS pata ndjesinë e këputjes së krahëve. Duke e njohur e kuptova që ishte vendim i marrë pa asnjë mundësi rishikimi, Nuk e gjej do si do të mbushet boshllëkun e tij. Gramozi hyn tek një lloj shumë i radhë protagonistësh që zëvendësohen me shumë vështirësi dhe duan një kohë të konsiderueshme për t’u zëvendësuar, kur kjo ndodh sepse nuk ndodh gjithmonë. Kjo do të jetë një sfidë më vete për mua dhe për ne. Të jam mirënjohës për çdo gabim që nuk më ke lënë të bëj”, tha Rama.

Vajza e Bashkim Finos i bashkohet PS

Megi Fino është anëtarja më e re e Partisë Socialiste. Vajza e deputetit të ndjerë Bashkim Fino u prezantua këtë të shtunë, në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS, që mbahet në 30 vjetorin e krijimit të kësaj force politike. Mes lotëve ajo tregoi se kishte qenë dëshira e madhe e babait të saj që të bëhej pjesë e Partisë Socialiste.

Me babain kemi pasur vetëm një konflikt, ai e donte kaq shumë këtë familje të madhe sa donte shumë që të isha pjesë e kësaj familjeje… Baba uroj që të jesh duke më parë sot nga atje lart. Dhe shpresoj që të jesh krenar me mua sot dhe gjithmonë. Do të bëj çmos të jem në lartësinë e emrit që ti më le. Do të angazhohem me mish e shpirt në këtë familje e cila paka qenë e thënë të bëhej pjesë e imja”, tha ajo me lotësh.

Nano, mesazh për 30 vjetorin e PS

Një urim për këtë 30-vjetor të krijimit të Partisë Socialiste, e kishte një prej figurave më të rëndësishme të kësaj force politike, Fatos Nano. Në një video mesazh të shfaqur në ekranin e madh të vendosur në mes të stadiumit Air Albania, aty ky Partia Socialiste po mban Kongresin e Jashtëzakonshëm, Nano u shpreh besimplotë se fitorja e mandatit të tretë të PS, është frymëmarrje për shqiptarët.

“Kam drejtuar Shqipërinë, kur PS e bëmë parti të parë në vend. Ky është përvjetor që na jep krenari të gjithëve. Në 30 vjet kemi ruajtur traditat më të mira, duke ecur me hapin e kohës. Jemi sot e vetmja forcë politike, duke formuar lidershipe të reja. Përshëndetje Edi, ta kalojmë stafetën, duke pasur breza që europianizojnë Shqipërinë. Fitorja e mandatit të tretë të PS është frymëmarrje për shqiptarët. Ju uroj të gjithëve suksese. Të vazhdojmë reformat, që të bëjmë Shqipërinë pjesë të BE-së. Do të vazhdojmë punën me korrektësi dhe kam besim se me Ramën dhe me bekimin e Zotit do të përmbushim objektivat. Të vazhdojnë ditët e bardha për Shqipërinë. Gëzuar Përvjetorin Historik”, tha mes të tjerash Nano.

Manastirliu: Ngritje në një tjetër nivel të shëndetësisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, në 30 vjetorin e krijimit të saj, nënvizoi se kjo parti është e vetmja forcë politike që mund ta transformojë, modernizojë dhe ndërtojë të ardhmen e Shqipërisë. Manastirliu ka bërë me dije objektivat madhor të programit të mandatit të tretë për ngritjen në një tjetër nivel të sektorit shëndetësor.

“Ka ardhur momenti ta ngrejmë në një nivel të ri shërbimin ndaj pacientit me zbatimin e autonomise spitalore. Fillojmë me Spitalin Memorial të Fier dhe më pas e eksportojmë këtë model kudo në Shqipëri. Brenda 2025, do të krijojmë katër Polet Spitalore që do të bëhen Qendra të referencës diagnostikuese dhe trajtuese në katër rajonet e vendit. Do të ngremë 10 qendra model të mjekësisë familjare, me shërbime të integruara socio-shëndetësore, me fokus problemet e shëndetit mendor, shërbimet për fëmijët dhe të rinjtë, dhe kujdesin paliativ brenda vitit 2024. Do të konsolidojmë Platformën e Integruar të Shëndetësisë Digjitale, që zgjeron sistemet e shëndetësisë elektronike, sistemet e përgjigjes ndaj epidemive, sistemet e menaxhimit të shërbimit farmaceutik dhe rrjetin e Telemjekësisë dhe konsultave ambulatore në çdo nivel shërbimi. Do të ndërtojmë Programin Kombëtar të mjekësisë së specializuar të lëvizshme, me qëllim që, qytetarët dhe në zonat më të thella të vendit të kenë akses periodik në shërbimin shëndetësor”, deklaroi Manastirliu.

Duke folur për investimet në shëndetësi, Manastirliu tha: “Kantieri i shëndetësisë nuk do të ndalet dhe do të finalizojmë gjatë këtij mandati projektet e mëdha të ndërtimit të Spitalit të ri Sëmundjeve të brendshme në QSUT, Spitalit pediatrik ne Tiranë, Spitalit Infektiv, Maternitetit Mbretëresha Geraldinë, Spitalit pediatrik në Elbasan dhe Spitalit Rajonal të Kukësit. Viti 2025 do ta gjejë tërësisht të rehabilituar infrastrukturën e të gjitha qendrave shëndetësore dhe ambulancave, në çdo cep të Shqipërisë”.

Ministrja e Shëndetësisë tha se pandemia e COVID-19 u përballua falë profesionalizmit të stafeve mjekesore, solidaritetit qytetar dhe investimeve në sistemin shëndetësor.

Pandemia na vuri në provë të vështirë. Por nuk na gjunjëzoi! Iu përgjigjëm me profesionalizmin e stafeve tona mjekësore, dhe me solidaritetin e qytetarëve të mrekullueshëm të këtij vendi. Ia dolëm sepse i sëmuri i madh që ishte sistemi shëndetësor në vitin 2013, pas një terapie të fortë dhe të pandalur 8-vjeçare, tashmë ishte ngritur në këmbë“, tha Manastirliu.

Duke u shprehur se harta e të dhënave të infektueshmërisë për kontinentit tregon se Islanda dhe Shqipëria janë prej disa javësh me nivelin më të ulët të infektimeve, Manastirliu tha se vaksinimi antiCOVID do të vijojë, derisa qytetari i fundit të vaksinohet.

“Sot, kur ne i afrohemi shifrës së 1 milion vaksinimeve, nuk kemi thjesht 1 milion qytetarë më të mbrojtur. Sot ne kemi garanci të shtuara për biznesin, për turizmin, për ekonominë tonë. Prandaj do të vazhdojmë pa u ndalur, sipas një plani të mirëmenduar, deri kur të kemi vaksinuar edhe qytetarin e fundit, për t’i dhënë goditjen finale virusit, dhe për t’iu rikthyer plotësisht normalitetit”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

Në fjalën e saj në kongres, Ministrja e Shëndetësisë theksoi se angazhimi për Shqipërinë e 2030-ës përpara shqiptarëve është ndërtimi i një sektori shëndetësor, që mishëron ato parime dhe vlera, që dolën fort në pah në këta 15 muaj të vështirë të pandemisë: Solidaritet, Barazi dhe Shëndet për të Gjithë.

Kushi: 10 mln euro çdo vit për hapjen dhe ofrimin e programeve mes universiteteve tona dhe atyre të BE

Në Kongresin e Partisë Socialiste zhvilluar ditën e sotme, Ministrja Evis Kushi i është drejtuar delegatëve të kongresit me një fjalë përshëndetëse dhe ka ndarë me ta vizionin e PS në fushën e arsimit për mandatin e ri qeverisës dhe “Shqipëria 2030”.

Duke e cilësuar fillimisht arsimin si një prioritet madhor, Znj. Kushi u shpreh se reformat e ndërmarra vitet e fundit bashkë me rezultatet e tyre pozitive vit pas viti kanë treguar se jemi në rrugën e duhur.

Ajo përmend faktin se në fokus të veçantë do të jetë edhe arsimi i lartë dhe shprehet se duhet pranuar që reforma në arsimin e lartë nuk i ka dhënë plotësisht rezultatet e pritshme për një përparim progresiv e të qëndrueshëm. Sipas saj, kjo shikohet qartë edhe nga të dhënat që flasin për të rinjtë e të rejat në ndjekjen e studimeve të larta.

“Një pjesë e tyre, madje shpesh herë më të mirët prej tyre, ata me rezultate te shkëlqyera, duhet të largohen jashtë Shqipërisë për të vazhduar studimet në universitete të huaja. Natyrisht që gjithmonë, edhe kur të jemi në nivele më të larta, do të ketë disa prej studentëve ekselentë që do të vazhdojnë të shkojnë për studime jashtë vendit, në universitetet më prestigjioze evropiane. Por ne nuk mund të pranojmë që kjo të jetë zgjedhje e detyrueshme për ta. Ne nuk mund të pranojmë që ata të mos kenë zgjedhje alternative këtu, në Shqipëri,” tha Kushi.

Për këtë arsye, ajo nënvizoi se: “Ne do të punojmë intensivisht dhe do të bashkëpunojmë ngushtësisht me universitetet tona për të sjellë këtu përvojat më të mira evropiane. Ne duam të ngremë struktura ekselence evropiane që mund të jenë edhe programe studimi të përbashkëta, por mund të jenë edhe departamente, fakultete apo edhe universitet si i tërë, për t’i dhënë mundësinë të gjithë atyre që duan të bëhen inxhinierë të aftë, mjekë të dalluar, informaticienë profesionistë që të marrin diploma me vlerë, njësoj si në universitetet më të mira të BE”.

Në këtë kuadër, Kushi shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur me 10 milion euro në vit hapjen dhe ofrimin e programeve të përbashkëta të studimit mes universiteteve shqiptare dhe atyre të BE, tërësisht në gjuhën angleze, në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Ndërkohë, ajo thekson se do të bëhemi shembull për thithjen e fondeve të BE për arsimin dhe kërkimin shkencor, do të përmirësohet cilësia e produktit universitar, sikurse do të vazhdohet pa u ndalur me investimet në kampuset universitare, veçanërisht ai i Universitetit të Tiranës, në përmirësimin e përvojës studentore.

Një pjesë të mirë të fjalës së saj, Kushi ia kushtoi edhe arsimit parauniversitar ku shprehu aspiratën evropiane të PS për të mbështetur nxënësit tanë në përfitimin e aftësive të reja të shekullit të 21, me qëllim final përgatitjen e profesionistit të aftë, punonjësit të suksesshëm dhe qytetarit të denjë të vitit 2030.

Sipas saj, nisja e gjuhës angleze që në klasë të parë shtatorin e ardhshëm, zbatimi i Programit Kombëtar për Programimin (Kodimin), artin dhe zejet, përforcimi i modelit të edukimit fizik dhe klasave sportiv, shtimi i investimeve në infrastrukturën shkollore, rritja profesionale e mësuesve etj., janë disa pikave që do të jenë në fokus të veçantë në zhvillimin e mëtejshëm të arsimit parauniversitar.

Ministri Çuçi: Në Shqipëri do të vijnë dronët super inteligjentë për kontrollin e territorit

Gjatë fjalës që mbajti në Kongresin e PS-së, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi paralajmëroi mbërritjen në Shqipëri të dronëve super inteligjentë për kontrollin e territorit.

“Kjo nuk është as retorikë as inerci, por çka po them është e mbështetur në përgatitjen për të bërë një kapërcim historik për të cilin mjafton t’ju jap një shembull: Këtë rrugë e kemi nisur me zëvendësimin e makinave që nuk ndizeshin dhe i shtynin policët. Në këtë mandat të tretë do e nisim me sjelljen në Shqipëri të dronëve super inteligjentë. Shqipëria do të hyjë modestisht për nga sasia, por edhe njësoj për nga cilësia, në rendin e vendeve me teknologji më të avancuar në këtë drejtim”, tha Çuçi.

Duke folur për kontrollin e territorit, Çuçi tha se do të marrë fund epoka e zaptimit dhe ndërtimeve vend e pavend pikërisht duke monitoruar gjithçka përmes pajisjeve teknologjike të fundit siç janë dronët super inteligjentë.

Ne do të shtrimë fuqinë e revolucionit dixhital në të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit, ku përmes kapaciteteve të inteligjencës teknologjike, do të kontrollojmë me precizion çdo metër katror të territorit të Shqipërisë. Do të marrë fund epoka e zaptimit, pavarësisht mbiemrit apo fuqisë që ke ose për kë voton. Asnjë tolerancë! Me tekonlogjinë do bëjmë të mundur kontrollin e territorit dhe të kufirit, për parandalimin e çdo forme paligjshmërie, nga trafiqet, tek kultivimi i bimëve narkotike“, tha Çuçi.

Kujtojmë që Ministri i Brendshëm ishte së fundi në Turqi ku vizitoi fabrikën “Baykar Defense”, e cila prodhon dronë të teknologjisë së lartë. Çuçi tha se Shqipëria po vlerëson mundësinë për marrjen e këtyre dronëve për qëllime civile e urbane.

Gjonaj: Drejtësia vonon, por nuk harron. Çështjet e harruara do çohen deri në fund

Në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se arritjet e para të Reformës në Drejtësi kanë filluar të jenë të prekshme. Shembull për këtë ajo solli në vëmendje çështje të harruara, siç i cilësoi Gjonaj, si Gërdeci apo 21 Janari, të cilat janë rikthyer dhe tha se do çohen deri në fund.

“Po shembim drejtësinë e vjetër dhe po ngremë drejtësinë e re, barazi para ligjit, shpresë dhe besim për qytetarët. Reforma në Drejtësi është realitet. Të gjithë e vlerësojnë pavarësinë reale që i kemi dhënë drejtësisë së re, pastrimin e sistemit nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar e të paaftë. Mbështetjen për institucionet e reja të drejtësisë, për t’i bërë funksionale e eficiente. Koha të tregojnë përgjegjshmëri e integritet, besim tek qytetarët përmes rezultateve pozitive. Arritjet e para kanë filluar të jenë të prekshme. Lajmet e periudhës së fundit janë inkurajuese, tregojnë se drejtësia vonon, por nuk harron. Çështje të harruara si Gërdeci, 21 janari, janë rikthyer dhe do u çohet deri në fund. Simbolet e pandëshkueshmërisë, miti, po marrin një goditje dhe po çohet në një mentalitet të ri të funksionimit të drejtësisë dhe shtetit. Fillimi i një rruge të re. Ëndrra jonë europiane nuk kuptohet pa drejtësi europiane. Do të vijojmë të mbështesim rritjen e transparencës, do të promovojmë drejtësinë alternative dhe të garantojmë drejtësi sociale”.

Ministrja tha më tej se gjatë kësaj dekade do të mbyllet çdo çështje që lidhet me titujt e pronësisë, duke mbyllur problemin e pronave.

“Çdo qytetari në pamundësi do ketë avokat falas nga shteti. Do të kemi një qeverisje bashkëpunuese dhe miqësore me qytetarët. Kemi ndërtuar bazat për më shumë ndërveprime nëpërmjet platformave eficente online, me qëllim shkurtimin e stacioneve në marrjen e çdo shërbimi. Do të eliminojë korrupsionin e sporteleve dhe procedurave burokratike. Po punojmë për ta çuar në nivel të ri platformën e bashkëqeverisjes. Çdo punonjës shteti të jetë në marrëdhënie detyruese për të kthyer përgjigje e dhënë shërbimin qytetarit. Do ta çojmë deri në fund, dhe gjatë kësaj dekade do të mbyllim çdo çështje që lidhet me titujt e pronësisë, duke mbyllur problemin e pronave. Shqipëria e 2030 të jetë një vend më i drejtë për të gjithë ne, që ofron shpresë e besim për të gjithë, e veçanërisht për të rinjtë”.

Balluku: Linjë e re hekurudhore Pogradec-Korçë-Greqi

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, foli për projektet infrastrukturore që pritet të realizohen në mandatin e tretë të qeverisë, ku përfshihen porti i ri i Durrësit, ai i Vlorës e Sarandës, ashtu sikurse aeroporti i Vlorës, tuneli i Llogarasë etj. Por jo vetëm kaq. Gjatë fjalës së saj në Kongresin e Partisë Socialiste, Balluku tha se vendit tonë do t’i shtohen edhe linja e re hekurudhore Pogradec-Korçë-Greqi.

“Përveç linjës hekurudhore të shpejtësisë së lartë, Tiranë-Rinas-Durrës, e cila ka marrë rrugë tashmë, do të vijë edhe linja e re, Pogradec-Korçë-Greqi, e cila do të bëjë shumë të leverdishme dhe më të shpejtës lëvizjen e mallrave dhe pasagjerëve në drejtim të Greqisë, Bullgarisë, Turqisë, por edhe të Maqedonisë së Veriut. Përmes një nyje në zonën e Linit, duke jetësuar kështu korridorin e 8 për të cilin shumë është folur, por nuk është bërë asgjë“, tha Balluku mes të tjerash./tvklan.al





Të ngjashme